Dorëzuan zarfin e gabuar, Akademia e “Oscar” i shkarkon

Dy personave që konsiderohen si përgjegjës për gafën e paprecedentë që shënjoi ceremoninë e çmimeve “Oscars” të këtij viti, u hiqet përgjithmonë e drejta për të punuar për Akademinë e Filmit dhe Shkencave.

Këtë e ka njoftuar vetë presidentja e akademisë prestigjioze, Cheryl Boone Isaacs. Brian Cullinan dhe kolegia e tij Martha Ruiz, kishin detyrën e dorëzimit të zarfeve me emrat e fitueseve në kategoritë e ndryshme, në emër të kompanisë “Price Waterhouse Coopers”, që merret me numërimin e votave dhe organizimin e zarfeve.

Edhe pse ishte Cullinan ai që u cilësua përgjegjës për ngatërresën në momentin e shpalljes së filmit më të mirë të 2017-s, akademia ka vendosur t’i ndëshkojë të dy partnerët e madje do të rishikojë edhe lidhjet me vetë kompaninë, “PriceWaterhouseCoopers”, shkruan Top Channel.

Warren Beaty dhe Faye Dunaway shpallen “La La Land” si filmin më të mirë, e ndërsa producentët e muzikalit ishin ngjitur në skenë për të bërë falenderimet e rastit, u zbulua se statueta shkonte për një tjetër film, “Moonlight”.

Ky është cilësuar si një prej gabimeve më të rënda në 89 vitet e historisë së Academy Awards. Më vonë u mësua se Cullinan i kishte dhënë zarfin e gabuar 2 prezantueseve të çmimit, atë me emrin e aktores më të mirë, Emma Stone për rolin në La La Land.

   
Loading...