Dorëhiqet “DAJA” i Adem Grabovcit, që erdhi me porosi

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Dorëheqjen e tij e ka bërë të ditur vetë ai përmes një letre të cilën ia ka dërguar bordit të ShSKUK-së.

Por Curr Gjocja, i cili njihet në opinion edhe si ‘daja i Adem Grabovcit’, në pozitën e drejtorit të ShSKUK-së erdhi me porosinë e këtij të fundit.

Në materialet e përgjimeve që ishin publikuar kohë më parë, dëgjohet biseda e Grabovcit me shefin e PDK-së asokohe, Hashim Thaçin, të cilit i thotë se nuk po kujdesën sa duhet për dajën e tij, Curr Gjocaj.

“Do obligime nuk janë kry, por kur të vish bisedojmë”, i thotë Grabovci përmes telefonit Thaçit.

“Kush? Jo nuk është e vërtetë”, ia kthen Thaçi, duke mos e ditur ende se për kënd është fjala.

“Vallahin po, një dajë temin ma keni lanë anash”, Grabovci ia kujton Thaçit obligimin ndaj tij.

Thaçi e përmend një emër por nuk kuptohet. Grabovci reagon duke i treguar për kënd është fjala

“Gjocin…, Curr Gjocin”, i thotë Grabovci.

“Jo more nuk um ke thanë”, ia kthen Thaçi atij.

Qyqy!, reagon Grabovci si me habi dhe duke qeshur.

Por Thaçi nuk e zgjat më shumë bisedën rreth Curr Gjocajt, duke e pyetur Grabovcin për gjendjen politike në vend.

Curr Gjocaj ishte zgjedhë në këtë pozitë në vend të drejtorit të deriatëhershëm, Njezi Gashi.

Më vonë Gjocaj ishte rizgjedhë në këtë pozitë në qershor të këtij viti. Rizgjedhja e tij kishte ngjallur protesta.

Një kumtesë e Grupit të qytetarëve të pavarur të Kosovës #PROTESTOJ, kishte shprehur pakënaqësinë e vet për rizgjedhjen e Curr Gjocaj udhëheqës të Shërbimit Spitalor të Kosovës në baza jomeritore.

Aty thuhej se riemërimi i tij ishte i paligjshëm dhe skandaloz.

Gazeta Insajderi ka publikuar një sërë materialesh audio, të njohura si Dosja e Shefave, ku tregon për ndikimin e ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve nëpër ndërmarrje publike./Insajderi.com