“Dita e Plisit” në Kullës e Azem e Shotë Galicës (Foto)

Në Kullën e Azem e Shotë Galicës në Galicë u mbajt Edicioni IV i Manifestimit kulturor “Dita e Plisit”

Më shumë se kurrë, këta mysafirë me plisa të bardhë në kokë, i përkujtuan kuvendet historike që Azem Galica me heroinën Shotën, e me bashkëluftëtarë i mbante në Kullën qendresë që ia kalonte çdo Parlamenti.

Në këtë manifestim para të pranishmëve foli Bedri Tahiri, i cili u shpreh se këtu, në këtë truall, më 15 korrik 1924, u zhvillua beteja e fundit e Azem e Shotë Galicës, e cila në histori njihet me emrin Epopeja e Arbërisë së Vogël.  Atë ditë, mbi 12oo veta, ushtarë e xhandarë serbë,  duke marrë me vete edhe 7 topa, rrethojnë tri fshatrat e Arbërisë së Vogël: Galicën, Lubovecin e Mikushnicën. Në Kullë nuk kishte më shumë së 12 luftëtarë, të cilët me trimërinë dhe strategjinë e tyre luftarake arrijë të çajnë rrerthimin e duke lënë të vrarë 93 ushtarë serbë. Beteja qe e përgjakshme dhe zgjati gjithë ditën, ku ranë për të mos vdekur kurrë edhe 83 shqiptarë, kryesisht pleq, gra e fëmijë (në Galicë 35, në Mikushnicë 23 dhe në Lubovec 24- emrat e tyre janë skalitur në Pllakën përballë Varrit masiv në oborr të Kullës).

Festa e Plisit po na i ringjallë Azem e Shotë Galicën, të cilët që nga rinia e hershme vunë plisin e bardhë më kokë, u radhitën në çetat e lirisë dhe për 12 vjet rresht, zhvilluan mbi gjashtëdhjetë beteja fitimtare kundër pesë pushtuesve të mëdhenj perandorakë: Turqve të rinj (1908-1912),  Serbisë së Parë (1912- 1915), austro-hungarezëve dhe bullgarëve (1915-1918) dhe Mbretërisë SKS (1918- 1924).

Luftërat e tyre kishin karakter mbarëkombëtar dhe dirigjoheshin nga ideologu i madh, Hasan Prishtina dhe  Komiteti i Shkodrës. Se ata punonin me PROGRAM  tregon fakti që, gjatë Kryengritjes së madhe të vitit 1919, e cila nisi në Drenicë e përfundoi në Llapushë, ishin të mobilizuar 11 mijë luftëtarë nga të gjitha trevat shqiptare, në krye me komandant Azem Galicën.

Në vitin 1923, Qeveria serbe u detyrua të lëshonte pe karshi luftëtarëve shqiptarë. Kështu u krijua Zona e lirë e Drenicës, që më shumë njihet si ARBËRIA E VOGËL, e cila  fillimisht përfshinte të gjitha fshatrat e komunës së atëhershme të Prekazit e më vonë kufizohet në: Galicë, Lubovec dhe Mikushnicë. Kjo bërthamë  shtetërore, për ca vite rrezatoi atdhedashuri mbi të gjitha trojet shqiptare dhe frymëzoi luftërat për liri…

Në Beograd, atëbotë, reagimet ishin të ashpra. Më 11. X. 1923, deputeti i Kosovës, Jovan Magovçeviqi, i inatosur tha: ”Zotërinj, unë i kam dy vota: një si deputet i rregullt i Kuvendit Popullor dhe një si deputet i jashtëm i shtetit të Azem Galicës”.

Djemtë galicas dhe ata të fshatrave përreth asnjëherë nuk e ndalën këngën e bukur të grykëhollave. Kjo u dëshmua edhe në luftën e lavdishme të UÇK-së.

Sot, siç po e shihni edhe vetë, që nga viti 1971, kur eshtrat e tij i nxori nga shpella atdhetari Abdyl Krasniqi, kapedani pushon në Galicën e tij të dashur. Ai u bë frymëzim për brezat liridashës dhe shumica e komandatëve të luftës së fundit çlirimtare, betimin e dhanë pikërisht këtu, para varrit të Tij. Ama, Trimi disi është i shqetësuar, sepse ende po i mungon bashkëshortja e bashkëluftëtarja, Shotë Galica, e cila, e veshur me rroba burrash e me plis të bardhë në kokë, paraqet një unikat në botë, të një emancipimi të femrës shqiptare, duke i thyer të gjitha zakonet prapanike të kohës. Kërkoj që edhe nga ky manifestim me vlera kombëtare të dalë një thirrje që do të fuqizonte nismën e kahershme për kthimin e eshtrave të saj këtu ku e kanë vendin, në varrin bosh në Galicë. Bashkimi i tyre nënkupton bashkimin tonë shpirtëror e kombëtar!

Në emër të Galicës dhe  gjithë Arbërisë së Vogël, edhe njëherë Ju përshëndes dhe ju uroj që të gjithë së bashku të kalojmë çaste të këndshme me PLISIN që në vete ngërthen bardhësi, besnikëri, bujari,  ndërshmëri, mençuri, çiltërsi, papërkulshmëri e mbi të gjitha trimëri.

Nderim të veçantë për simbolin tonë të lashtë kombëtar- PLISIN!

Image may contain: 3 people, people smiling, people standing, tree, sky, outdoor and nature

Image may contain: 7 people, people standing and indoor

Image may contain: 15 people, table, living room and indoorImage may contain: 8 people, indoor