“Diell në dritare” nga Ramadan Mehmeti

Izet ABDYLI
,,GJUHË  PRANVERE” NË BUZËQESHET E FËMIJËVE
Ramadan Mehmeti ,,Diell në dritare”, Botues  ,,Olymp” Prishtinë 2014
Poezia ,,Gjuhë pranvere” me të cilën hapen faqet e para të këtij libri, sikur paralajmëron mesazhin e librit i cili duke shprushur botën fëmijërore përmes vargjeve kudo sjellë pranverë e buzëqeshje, diell e mirësi, ngrohtësi e dashuri, ëndrra e lojëra për fëmijë. Ky libër taman i ngjanë një teatri të vogël ku defilojnë gjyshi, mësuesja, nëna Terezë, Skënderbeu dhe si për lakmi përthyhen rrezet e diellit në dritare, ngazëllimi fëmijëror me lojërat e tyre, por edhe cicërimat e zogjve që e bëjnë edhe me të hijshme skenën. Ëndrrat, shpresat, gëzimet, shqetësimet, pyetjet e pikëpyetjet e tyre për jetën, ambientin e dukuritë e ndryshme të natyrës apo edhe vetë sjelljet e veset e njerëzve i bëjnë kureshtar të vegjlit dhe poeti me mjeshtri artistike ka arritur t’u jap përgjigje përmes vargjeve duke përdorur herë herë edhe figura stilistike si metafora, epitete, simbole etj. Nuk është çudi që edhe poezia e parë e ciklit ,,Diell në dritare “ fillon me poezinë ,,Pyetja e mësueses”  ku shpaloset jeta, ngjyra, gëzimi e lumturia e fëmijëve të botës për të vazhduar me tutje me pyetje për dashurinë  e gjyshit, apo rrëfimet  për tri motrat e një nënë që në mënyrë simbolike i ven në lojë germat ABC për ta përmbyllë me emrin Abetare. Shpaloset në këto vargje edhe bukuria e diellit,mrekullia  hënës në mesnatë, nostalgjia për mullirin e vjetër apo djepin e vatrës. Cikli dytë  ,,Shiu m’i lagte flokët” apo më mirë të themi akti i dytë i këtij libri hapet me ,,Ylberet dhe dallëndyshet”,  për të defiluar pastaj me dy aktorë të vegjël Borën dhe Jonin, duke përshkruar bukurinë tyre por  edhe lojën me lodrat,vallet plotë gëzim e hare , festimin e ditëlindjes së Borës dhe Gjyshit. Në ciklin apo aktin e  tretë ,,Festa me balona” poeti sikur e ka rezervuar për shpezët dhe kafshët, të cilat po ashtu kanë halle e derte sidomos kur ka borë e i mbërthen acari. Edhe ato kanë skenën e tyre qofshin thnegla, gomari,trumcakët,ketri, etj. Po bora dhe dimri sjellë halle e telashe edhe për varfanjakun  Xha Xhemën,   po edhe ndonjë çapkënllëk fëmijëror si pjekja e shtalbave nga ,,Misërishtja”  po edhe mirësi e këshilla l për ruajtjen e gjelbërimit dhe natyrës. Në ciklin (skenën e katërt) defilojnë muajt e vitit secilin me larushinë e vetë sikur bëjnë gara cili shpalosë anë të veta më të dobishme, dobitë dhe të mirat që i sjellin njerëzimit, por edhe krenarinë si: janari si muaj i parë, shkurti me acar e kristale, marsi me lule e gjelbërim, prilli që ngjallë shpresë e ngazëllim, maji me aromë e ngjyra plot hijeshi, qershori gosti me qershi, korriku me valëvitje gruri e pushim bregdeti, gushti me ëmbëlsi nga hardhia, shtatori në oborre të shkollave fëmijëve u qeshte fytyra, tetori ndrysho ora e shkurtohet dita, nëntori me histori fitore e pavarësi, dhjetori sjellë dëshirat për vitin e ri. Në ciklin (skenën) e pestë shpaloset historia , dashuria për atdheun, aty na shfaqet ,,Gonxhja jonë e madhe” Nëna Terezë, pastaj kryeheroi   ,,I Madhi Skënderbeu”, tutje shtrihet peizazhi i bukur ,,Shqipëria dhe deti”, por edhe ,,Gjyshja e Shqiponja” flasin në mes veti. Të gjitha këto pamje shfaqen në atdhe, në Nënën Shqipëri, me gjuhen e ëmbël si thotë poeti:
Është  porsi mjalti
E lartë sa hëna
Ëmbëlson dituritë
E ëmbël si nëna.
Në përgjithësi ky libër na vjen si një qilim i blertë, ku autori me mjeshtri ka qëndisur me vargje botën e fëmijëve, ku ata mund të gjejnë gëzimin e harenë, lojën me lodra, vallen e pranverës e gëzimit, ylberet, natyrën e gjelbërimin, etj. Ky libër shumë i çmueshëm në këtë kohë me plotë ndryshime e kravata jetësore  vjen si një dhuratë-ëmbëlsirë  për fëmijët e vegjël.
31 mars  Prishtinë