Detaje rreth vrasjes së 16 vjeçarit nga Prishtina, dyshimet bien mbi shokun e tij

Dyshimet e para për vrasjen e Aulon Zekaj, 16 vjeçar, bien mbi shokun e tij, i ardhur nga Amerika, G.G. Policia nuk ka pranuar të japë detaje për të dyshuarin. Burime të Express tregojnë se Auloni kishte pasur probleme edhe një herë tjetër me të dyshuarin. Në Familjen Zeka mohojnë se fëmija i tyre kishte probleme me ndonjë shok. Obduksioni i kufomës ka përfunduar ndërsa varrimi është caktuar në orën 17.

Asnjë detaj nuk e ka dhënë Policia e Kosovës për pistat e hetimeve që po zhvillohen për të zbardhur rastin e Aulon Zekajt, 16 vjeçar.

Por, burime të Express kanë treguar se pista e hetimeve shkon kah shoku i tij i ardhur nga Amerika, G.G (emri nuk i publikohet për shkak të hetimeve), dy vite më i madh se viktima.  Kanë treguar, po ashtu, Auloni kishte pasur edhe një herë problem me të dyshuarin, por, se ishin pajtuar.

Për këto detaje nuk kanë folur zyrtarët e Policisë së Kosovë. Në familjen e Aulonit kanë thënë se djali i tyre s’ka pasur probleme derisa kanë thënë se po presin hetimet e Policisë dhe Prokurorisë.

“Rasti është nën hetime. Policia është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet për këtë rast. Nuk mund të japim detaje të tjera”, ka thënë Flora Ahmeti, njëra prej Zëdhënësve të Policisë.

Auloni, i cili ka edhe një motër e vëlla, u vra me katër plumba, të shtunën në Prishtinë. Trupit të tij i është bërë obduksioni derisa varrimi është caktuar për orën 17.

Zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) kanë konfirmuar se trupi i Aulonit i është dorëzuar Familjes.

“Obduksioni i trupit të pa jetë të 16 vjeçarit sapo ka përfunduar. Trupi i pajetë i tij i është dorëzuar familjarëve për procedurat e varrimit”, ka thënë drejtori i IML, Arsim Gerxhaliu për Express.

Flasin familjarët e Aulonit

Familja e 16 vjeçarit, Aulon Zeka, të vrarë një ditë më parë në Prishtinë, kishte hapur të pamën, një ditë pasi fëmija i tyre u gjend i vrarë.

Të afërm të Familjes Zeka ishin nisur drejtë rrugës ‘Mic Sokoli”, e cila çonte për në shtëpinë e tashmë të ndjerit Aulon Zeka për t’i shprehur ngushëllime familjes për vdekjen e djalit të tyre.

16 vjeçari i varë të shtunën  përshkruhet si një person i qetë dhe jo problematik nga familjarët e tij.

“Ka qenë person i qetë. Për krejt hallet që i ka pas ka bisedua me mua. Për këtë rast nuk na ka thënë asgjë”, ka thënë familjari i tij derisa priste tek dera e shtëpisë njerëzit për ngushëllime.

Aulon Zekaj kishte pasur edhe probleme shëndetësore me boshtin kurrizor, por ishte shëruar.

Express ka raportuar të shtunën për vrasjen e Aulonit dhe nisjen e hetimeve nga ana e Prokurorisë dhe Policisë.

“Aktualisht njesitet policore jane duke ndermarre te gjitha veprimet e nevojshme hetimore per sqarimin e te gjitha rrethanave qe kane te bejne me kete ngjarje, si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave te dyshuar”, kishte thënë Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.