Dështon mbledhja e Kryesisë, seanca konstituive nuk mbahet këtë javë?!

Ndonëse u paralajmëruar se sot do të mbahet mbledhja e vjetër e Kryesisë ku do të duhej të caktohej mbajtja e seancës për konstituimin e Kuvendit, ajo nuk u mbajt fare.

Gazeta Blic merr vesh se anëtarët e Kryesisë së Kuvendit u paralajmëruan përmes telefonit nga Sekretaria e Kuvendit se nga ora 11:00 do të mbahet seanca, mirëpo vetëm pas pak kohësh ajo u anulua.

“Na njoftuan se nga ora 11:00 do të mblidhet Kryesia e Kuvendit, mirëpo ajo u anulua pa na dhënë informacione”, i ka thënë Gazetës Blic njëri nga anëtarët e Kryesisë në kushte anonimiteti.

Ndërkaq, burime të Gazetës Blic sqarojnë se nëse sot nuk mbahet mbledhja e Kryesisë, atëherë seanca për kontituimin e Kuvendit nuk mbahet gjatë kësaj jave.

“Kryesia e Kuvendit duhet të mblidhet të paktën 5 ditë para mbajtjes së seancës”, tha ky burim.

Burime të Gazetës Blic thonë se PAN përkundër që i ka siguruar 62 vota, ka frikë që me këta numra të thërras seancën për konstituimin e Kuvendin.

“PAN ka frikë që me kaq pak numra të hyjë në seancë. Rreziku që të ndërroj mendje një nga këta deputetë, ka bërë që të mos nguten me thirrjen e seancës”, tha ky burim.

Në anën tjetër, nga Sekretaria e Kuvendit nuk kanë dhënë informacione se kur do të mbahet mbledhja e vjetër e Kryesisë.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka thënë për media se nëse do të mbahet mbledhja e Kryesisë, opinioni do të njoftohet me kohë edhe në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës.

Zyra e Presidentit të Kosovës nuk ka dhënë asnjë informacion nëse presidenti Hashim Thaçi, do të thërrasë seancën e Kuvendit.

Ndryshe, zgjedhjet në Kosovë janë mbajtur më 11 qershor, ndërsa certifikimi i rezultateve të këtyre zgjedhjeve u bë më 8 korrik.

Edhe pse më shumë se një muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve, Kosova ende nuk i ka krijuar institucionet e reja, konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë.

Koalicioni PAN pretendon se i ka numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë, ndonëse në zgjedhje arritën të fitojnë vetëm 39 deputetë, kurse duhen 61 vota për formimin e qeverisë.

Zëdhënësi i AAK-së Muharrem Nitaj ka thënë se koalicioni parazgjedhor Partia Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe i nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj, janë brenda afatit të tyre kushtetues e ligjor për krijimin e qeverisë së Kosovës.

“Pritet që presidenti i vendit në kuadër të kompetencave që ka, brenda këtij afati ta thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit dhe menjëherë pas kësaj të procedohet edhe me votimin e Qeverisë.Prandaj fushata e disa partive dhe individëve, me gjoja shtyrjen e seancës konstituive të Kuvendit, është e sajuar dhe që për qëllim ka ta vë në lajthitje e ta mashtrojë opinionin publik”, ka thënë Nitaj nëpërmjet një komunikate për media.

Sipas tij partnerët e koalicionit PAN, janë në fazën e konsultimeve me partnerët e mundshëm, jo për krijimin e numrave për të cilët po spekulohet skajshëm, por për krijimin e një baze më të gjerë politike qeverisëse, e që rezultati i këtyre konsultimeve do të dihet menjëherë pasi që Ramush Haradinaj, edhe zyrtarisht ta marrë mandatin për krijimin e qeverisë.