Dënohet me 99 vjet burg shqiptari, pasi masakroi bashkëshorten me kaçavidë

Një shqiptar është dënuar me 99 vjet burg për vrasjen e bashkëshortes. Petrit Diko, mbahet në burg që prej 7 dhjetorit të vitit 2011, kur mori policinë në telefon për të lajmëruar se kishte vrarë gruan e tij, Mimoza Diko, 44 vjeç.

47-vjeçari qëlloi për vdekje bashkëshorten me çomange në apartamentin e tij në Denton (Teksas). Shqiptari ndërmori një veprim të tillë për shkak se ishte i zemëruar nga humbja e kontrollit mbi gruan e tij, që prej kohës që ata kishin shkuar në SHBA me lotarinë amerikane. Ajo fliste dhe anglisht më mirë se sa ai dhe kjo besohet të ishte një arsye. Petrit Diko dhe bashkëshortja e tij fituan lotarinë amerikane në vitin 2008, kur jetonin në qytetin e Pogradecit.

Petrit Diko e qëlloi të paktën 39 herë gruan duke përdorur një pjesë metali të krevatit, kaçavidë, thikë, gërshërë dhe dërrasë. Nga goditjet, Mimoza u gjet e shtrirë në dysheme e mbytur në gjak. 44-vjeçja ka bërë shumë zhurmë, por ajo e ka pasur të pamundur të marrë frymë për shkak të gjakut që i dilte nga plagët e rënda në kokë. Policia tha se në trupin e saj u gjetën vrima në kokë, duar dhe bark.

Avokatët mbrojtës thanë se, shqiptari nuk ishte vetëm xheloz se gruaja e tij fliste më mirë anglisht, por kemi të bëjmë me një krim pasioni pasi ajo i tha burrit “budalla” dhe se dy djemtë e tyre nuk ishin në të vërtetë të tij, por të vëllait. Asnjë prej dy djemve të tyre nuk ndodhej në shtëpi në momentin e krimit.

Një nga avokatët tha se, krimi ka ardhur edhe për shkak të ndryshimit të vendit, pasi në Amerikë femrat kanë barazi me meshkujt, ndërsa në Shqipëri ata jetonin në një shoqëri patriarkale.

Vetë Diko tha se, ishte në gjendje të tronditur dhe se nuk mund të kujtonte asgjë nga ajo se çfarë kishte ndodhur më 7 dhjetor 2011-të. Gjëja e fundit që ai mund të rikujtonte ishte se pak para sherrit kishte një kaçavidë në dorë për të rregulluar diçka dhe më pas e kaploi zemërimi dhe iu errësuan sytë.

Ai pretendon se, është përpjekur t’i shpëtojë jetën bashkëshortes pasi pa që ajo nuk po reagonte më. Diko thotë se i ka bërë një dush të ftohtë asaj dhe më pas ka tentuar t’i bëjë frymëmarrje artificial, por më kot.

Por, policia e ka gjetur atë me rroba pa gjak dhe kjo sipas tyre është provë që 47-vjeçari nuk është përpjekur aspak për t’i shpëtuar jetën bashkëshortes.

Tashmë, Petrit Diko pasi të kryejë një dënim prej 30 vitesh dhe më pas do të ketë të drejtë të kërkojë liri me kusht. Diko nuk do të lejohet të qëndrojë në SHBA, pavarësisht se jeton legalisht.