“Dardanët” do të përkrahen më shumë në të ardhmen

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim drejtuesit e tifozëve të Kombëtares së Kosovës “Dardanët”.

Në takim u diskutua rreth përgatitjeve të grupit të tifozëve për ndeshjet e futbollit që e presin në të ardhmen Kombëtaren e Kosovës.

Ministri Gashi, inkurajoi grupin e tifozëve “Dardanët” për një organizim sa më të mirë të ngjarjeve të futbollit duke theksuar se përkrahja e tifozëve është e rëndësisë së veçantë për Kombëtaren e Kosovës. “Grupi i tifozëve ‘Dardanët’, me përkrahjen dhe atmosferën që krijojnë në tribunë, konsiderohen lojtari i 12-të i djemve tanë kur zhvillojnë ndeshjet e tyre”, tha Gashi.

Ai po ashtu u shpreh i gatshëm që të ndihmojë grupin e tifozëve në format e nevojshme.

Ndërkaq, përfaqësuesit e tifozëve të Kombëtares së Kosovës “Dardanët” e informuan ministrin Gashi për sfidat dhe problemet me të cilat përballen për të ndjekur ndeshjet e përfaqësueses së Kosovës në futboll. Ata njëkohësisht falënderuan ministrin për gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe ndihmuar grupin në përgatitjen e ndeshjeve futbollistike të Kombëtares së Kosovës.