Çitaku fyhet nga fjalët, thotë “vezët nuk vrasin”

Pjesëmarrja në një bashkëbisedim në Universitetin e Denverit në Colorado, nuk i ka ecur mirë ambasadores së Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku. Siç transmeton KTV, ajo ishte e ftuar për të folur në një konferencë rreth rolit të gruas në sigurinë ndërkombëtare.

Fillimisht Blerta Avdili, pjesëmarrëse në konferencë, replikoi me ambasadoren Çitaku, pasi e pyeti për rastin Dehari. Por, pas disa minutash diskutimi, Çitaku u gjuajt me vezë nga Blerta Avdili. Pas kësaj që ndodhi ka reaguar ambasadorja Çitaku në llogarinë e saj në facebook.

“Vezët nuk e kanë vrarë kurrë askënd. Po fjalët vrasin. Sigurisht që ndjehem e lënduar nga ato fjalë të rënda dhe nga ato shpifje pa kripë”, ka shkruar Çitaku.

Sulmin me vezë ndaj ambasadores e kanë dënuar presidenti Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Hoxhaj.