Çfarë po ndodhë me Vetëvendosjen e LDK’në?

Gjatë ditës së mërkurë lëvizja “Vetëvendosje” ka paralajmëruar dy herë konference për medie, por që të dyja i ka anuluar në momentet e fundit.

Së fundi përmes një komunikate për medie LVV-ja nuk e ka përjashtuar mundësinë e koalicionit me LDK-në dhe me AKR-në.

“Të gjithë ata që janë të gatshëm t’i bashkohen kësaj beteje për ndryshim rrënjësor jemi të gatshëm t’i presim në takim”, thuhet në komunikatë.

Aty tregohet sesi koalicioni LDK-AKR i kanë ftuar në takime.

“Gjatë ditës së sotme kemi pranuar dhjetëra kërkesa për takim nga koalicioni LDK-AKR. Edhe pse jemi në orët e fundit para dorëzimit të listave Kryesia e Lëvizjes vendosi që t’i pranojë në takim”, thuhet në komunikatë.

Megjithëse dje gjatë gjithë ditës këto dy subjekte kanë tentuar të gjejnë gjuhën e përbashkët, ka qenë deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje” Rexhep Selimi ai i cili që në fillim të takimit ka mohuar një gjë të tillë: “Jo nuk ka koalicion me LDK dhe me AKR”, mirëpo edhe pas kësaj deklarate takimi mes dy palëve ka vazhduar.

Por, një bashkim të mundshëm e ka mohuar edhe anëtari i Kryesisë së LVV-së, Sami Kurteshi, i cili ka thënë se kjo parti nuk ka marrë asnjë vendim të tillë.

“Dje ne kemi mbajtur mbledhje, s’ka pasur asnjë vendim të tillë të Kryesisë, që është organi më i lartë i dy këshillave të përgjithshëm. Momentalisht nuk ka asgjë të vërtetë në këtë për të hyrë në listë zgjedhore me LDK-AKR-në”, ka deklaruar Kurteshi.

Edhe Shkodran Hoti, zyrtar i lëvizjes “Vetëvendosje”, nuk ka pranuar të japë detaje, por ka thënë se shumica e informacioneve kanë qenë spekulime.

“Kanë qarkulluar në vazhdimësi informacione të ndryshme, edhe shumica janë spekulime sepse është atmosferë elektorale”, ka thënë ai për “Zërin”.

 
Loading...