Brenda vitit shërbimi civil në Mitrovicë ka lëshuar mbi 95 mijë dokumente

 

Shërbimi i gjendjes civile  në administratën e Komunës së Mitrovicës, edhe gjatë vitit që lamë pas, ka bërë punë të madhe  dhe efikase në ofrimin e shërbimeve për qytetarë.
Ky shërbim, gjatë vitit 2014 ka arritur që me sukses të ofroj të gjitha shërbimet e kërkuara, duke lëshuar një numër rekord të dokumenteve prej 95.485 sosh.
Shefi i shërbimit, Afrim Voca, ka njoftuar se gjatë vitit të kaluar, punëtorët e tij kanë lëshuar  60.051 ekstrakte nga certifikatat e lindjes,  14.266 certifikata të lindjes, 6.334 certifikata të martesës, 5.991  certifikata të bashkësisë familjare,  1.997 certifikata të vendbanimit,  2.592  certifikata të gjendjes martesore, 1.823 certifikata të vdekjes,   1.689 certifikata të shtetësisë dhe 742 vërtetime nga arkivi.
Voca ka bërë të ditur po ashtu, se numri i qytetarëve, të dhënat e të cilëve  kanë kaluar në regjistrin qendror gjatë vitit 2014 është 34.983. “Modernizimi  i shërbimit dhe aftësimi i kuadrit, ka bërë që shërbimet këtu të jenë efikase dhe që më të mos ketë tollovi të qytetarëve”, ka thënë Voca.
Edhe qytetarët, janë shprehur të jenë të kënaqur me efikasitetin e punëtorëve të administratës, pasi që ata në kushte dhe rrethana normale, presin vetëm rreth pesë minuta për të marrë dokumentin e duhur, përveç në rastet kur ata vet nuk i kanë dokumentet në rregull apo u mungon ndonjëri prej tyre.

 

 

 

 
Loading...