Bosi shqiptar drejtonte nga burgu trafikun e kokainës në Greqi

Policia greke ka asgjësuar një grup kriminal të trafikut të kokainës, që kishte siguruar një fitim prej më shumë se 200.000 eurosh.

11 persona, dhjetë prej të cilëve grekë si dhe një shtetas shqiptar, janë arrestuar, ndërkohë që është identifikuar edhe kreu i këtij grupi, që është një shtetas shqiptar, që aktualisht ndodhet në burg.

Ai ishte arrestuar muajin e kaluar në Pire, ndërsa po nisej për në ishullin Patmos dhe iu gjet me vete një sasi kokaine.

Departamenti i Antidrogës i Athinës, thotë se arriti në asgjesimin e grupit pas një operacioni të mirëorganizuar, duke mbajtur në survejim të dyshuarit dhe zbuluar vendet e magazinimit, ndërsa mundi të vërtetonte veprimtarinë kriminale dhe rolin e secilit prej pjesëtarëve të grupit.

Një pjesë mirë e drogës shpërndahej në një lokal nate në zonën Peristeri, pronarët e të cilit gjithashtu janë arrestuar si pjesëtarë aktivë të këtij grupi.

Sasi të tjera kokaine dërgoheshin si pako postare në zona të ndryshme të vendit dhe kryesisht në ishujt.

Policia thotë se vetëm gjatë muajve të fundit grupi ka nxjerrë nga trafiku i kokainës një fitim prej 200.000 eurosh.

Në kontrollet e ushtruara u gjetën dhe u sekuestruan një sasi kokaine me peshë 1,6 kilogramë; një pluhur i bardhë me peshë 750 gramë që përdoret për të përzier kokainën; një shumë parash prej 59.095 euro si dhe 30.000 lekë; 3 peshore precizioni elektronike; 6 automjete luksoze; një motoçikletë; 18 telefona celularë; 3 libreza bankare; dy karta bankare; një fletore dhe shënime të ndryshme me shuma parash dhe emra të shitjes së kokainës. /OraNews/