BOMBARDIMI

BOMBARDIMI
24 mars,1999.
Më në fund, histeria e “hingëllimit” të armëve nga ana e NATO-s, dhe gjithë atyre që e dëshironin një gjë të tillë u bë realitet!Shqiptarët e Kosovës, përmes demonstrimit të tyre civilizues, në pamundësi të daljes në krye me regjimin kriminel të Serbisë, e kanë kërkuar kaherë dënimin e kësisojt të Serbisë. Ëndrra më në fund, si duket po bëhet realitet! Për veti, kam përshtypjen se prej sot e këndej, historia e shqiptarëve të Kosovës do pësojë ndryshime radikale, si në aspektin politiko-historik, ashtu edhe në ate ekonomiko-social. Parandjenja intuitive dhe sidomos ajo racionale më flasin se asgjë më nuk do të mbes ashtu siq ka qenë gjerë më tani. “PANTA REI”(Gjithëçka rrjedhë!), do të thoshte Herakliti! Në kryeqytet, dhe përgjithësisht në opinion ndjejë menjëherë euforinë e vetëkënaqësisë së njerzëve të rëndomët, për këtë lloj shërbimi dhe “hakmarrje” që e bënë Aleanca Atlantike në dobi të së drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve! Përshtypja e qytetarit mesatar shqiptar të Kosovës, është se kjo lloj “hakmarrjeje”, nuk do zgjasë gjatë! Tekefundit, këtë se dinë askush? Komshit mbatanë rrugës, sot heret në mëngjes erdhën të na “urojë” (me përqafim!?) bajramin e selameve të bombave të Nato-s. E përcjellë me kureshtje, por njëkohësisht edhe me një dozë të habisë e dyshimit, këtë dëshirë dhe vetëknaqësi të tyre euforike! Thuase, nyja e akumuluar shekullore e Kosovës do zgjidhet ekskluzivisht përmes disa bombave të Nato? Kam përshtypje se do të na ndodhë diç e papritur, mendojë në ndonjë masakër të re serbe në qytet (Markale në Sarajevë ma përkujton këtë) apo gjetiu që do t’i shërbejë revanshizmit të bombave të NATO-s. Skenari i tillë apokaliptik e shqetëson gjithëkend që e njehë psikologjinë e masës dhe vozhdit serb. Kurse, neve qytetarëve të rëndomët të Kosovës, së na mbetet asgjë tjetër veqëse të presim dhe të shohim se çfarë do dalë nga e tërë kjo lojë e madhe që ka filluar të luhet në teatrin e vogël të quajtur Kosovë. Lufta, si duket po dshmohet si aleati më i mirë në këto momente të fillimit të zgjidhjes së problemit i cili ka dhjetë vite që është duke i shqetësuar kancelarit e Evropës, sa që më në fund i ka detyruar dhe obliguar ato që të ndërmarrin diçka konkrete kundër mbeturirave të diktaturës së vetme postkomuniste në këtë rajon. Fushata e Aleancës Veriatlantike, do të thoshja është rasti i fundit që më në fund të qërojë hesapin me regjimin dhe diktatorin që shkaktoi katër luftëra dhe vrau, masakroi dhe zhvendosi me dhunë me qindra mijëra e mijëra njerzë të pafajshëm në këtë pjesë të botës. Intervenimi në funksion të preventivës dhe ndalimit të mëtejmë të këtij diktatori në fund të këtij mileniumi, ishte më tepër se dilemë Hamletiane. Andajë, me fat qoftë, ky rrugëtim!
Shkëputur nga libri i profesor Fadil Malokut “VETË ZOTI NA SHPËTOJË” (Ese Sociologjik për Luftën)
Nesër “FESTIMI” 25 mars, 1999.