Bie muri, ngrihet Asociacioni

Të martën do të nisë zbatimi i projektit të ri nga autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut, të cilat ditën e diel e rrënuan murin e ngritur në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, urë kjo që lidh jugun dhe veriun e këtij qyteti.

Autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut kanë paralajmëruar “ndërtimin e një konstruksioni prej betoni, i lartë 70 centimetra dhe i gjerë 120 centimetra”, ndërkohë që zyrtarët e institucioneve të larta të Kosovës kanë theksuar se zbatimi i projekti i ri është në pajtim me marrëveshjen ndërmjet institucioneve qendrore të vendit dhe atyre lokale të Mitrovicës së veriut.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë të hënën se në Republikën e Kosovës më nuk do të ketë mure dhe projekti i ri është në përputhje me vendimet e institucioneve të Kosovës dhe me të drejtën e qytetarëve për lëvizje të lirë.

“Do të ketë hapësira të gjelbëruara, në të cilat do të kenë kalim, që do të jetë në nivelin zero edhe për qytetarët, por në të njëjtën kohë edhe për makinat e emergjencës, ashtu siç janë në sheshin ‘Nënë Tereza’ (në Prishtinë). Në të dyja anët e sheshit do të ketë lëvizje. Në njërën pjesë është rreth 9 metra, për aq sa ka qenë afërsisht vet rruga kryesore. Ata që janë nga Mitrovica e dinë këtë. Le të jenë të sigurt dhe të mos bien pre e asnjë provokimi ose abuzimi, i cili është politik”, tha Veseli.

Ai shtoi se projekti do të jetë transparent për qytetarët duke u bërë thirrje atyre që të mos manipulohen nga askush. Thirrjet e Veselit për qytetarët kanë ardhur për shkak të kundërshtimeve që i ka shfaqur opozita ditën e hënë lidhur me këtë projekt, të cilin e kanë quajtur legalizim të një muri të ri.

Kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se projekti i ri është zbatim i marrëveshjes së arritur më 4 shkurt ndërmjet autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut dhe Qeverisë së Kosovës.

Sipas tij, konstruksioni i ri prej betoni do të jetë i larguar rreth 2 metra nga vendi ku ishte më parë muri që u rrënua.

“Ky konstruksion i ri prej betoni, në fakt, do të shërbejë që askush rastësisht, me qëllim apo me qëllim të keq, të mos mund të hyjë në asnjë mënyrë me automjet në zonën e këmbësorëve. Nesër do të nis zbatimi i asaj për të cilën jemi marrë vesh dhe asgjë më shumë se sa ajo për të cilën jemi marrë vesh më 4 shkurt””, tha Rakiq.

Në anën tjetër, partitë opozitare kanë reaguar ndaj paralajmërimeve për ndërtimin e konstruksionit të ri.

Driton Çaushi deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e subjektit më të madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se e gjithë kjo që po ndodh ditëve të fundit, me rrënimin e murit dhe me projektin e ri në Mitrovicë të veriut, është vetëm manipulim me opinionin, për të mbuluar zhvillimet tjera.

“Me ose pa mur, në një marrëveshje të nënshkruar nga Edita Tahiri (ministre për dialog e qeverisë së Kosovës) qarkullimi i automjeteve në veri bëhet i pamundur për shkak të sheshit ‘Mbreti Petër’. E dyta, me siguri edhe më e rëndësishmja, është ‘Zajednica’ ose Asociacioni i komunave me shumicë serbe, i cili është synimi përfundimtar në kuadër të këtyre negociatave dhe i cili, gjithashtu, si synim është që të mbulohet me çështje tepër dytësore ose terciare në raport me rëndësinë që ka për sovranitetin e Kosovës, një projekt i tillë siç është ky i ‘Zajednicës’”, tha Çaushi.

Autoritetet e Kosovës patën reaguar ashpër pas ndërtimit të murit nga autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut, duke thënë se një gjë e tillë nuk ishte paraparë me marrëveshjen e Brukselit për rikonstruktimin e urës kryesore mbi lumin Ibër. Madje, Kuvendi i Kosovës, përmes një rezolute kishte kërkuar nga ekzekutivi që ta heq atë mur.

Heqja e murit ishte edhe kushti për zbatimin e marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilën opozita vazhdon ta kundërshtojë.

   
Loading...