Besart Berisha, njeriu i finaleve

Nëse përmendet emri Besart Berisha, të gjithë e dinë se po bëhet fjalë për sulmuesin më të mirë shqiptar në dekadën e fundit.

Sulmuesi ynë ka treguar edhe njëherë se i pëlqen të luaja në finale të mëdha dhe një gjë të tillë do ta bëjë edhe nesër, ku me skuadrën e tij Melbourne Victory do të përballet ndaj Sydneyt.

Për Besartin ky është viti i katërt në futbollin australian, kurse deri më tash ka fituar dy tituj me skuadrën Brisbane Roar. Ai para fillimit të këtij edicioni u transferua te Melbourne Victory dhe po shihet si rreziku kryesor në finalen e madhe për skuadrën e Sydneyt.

“Më pëlqen të luaj në finalet e mëdha. Gjithmonë kam pasur sukses dhe besoj se edhe kësaj here nuk do të mungojë suksesi”, ka thënë Berisha 29-vjeçar, i cili në dy finale të mëdha ka realizuar tri gola.

“Kjo është një ndeshje speciale dhe për këtë arsye duhet të japim gjithçka nga vetja për të fituar. Momentet e tilla janë të rralla dhe duhet të shfrytëzohen”.

Berisha këtë edicion ka realizuar 14 gola në 27 ndeshje të zhvilluara dhe ka dhënë pesë asistime.