Berisha: Më pëlqen rikthimi në Kombëtare

 

Pas një sezoni të shkëlqyer me Melburn Viktori, Besart Berisha ka gjetur mundësinë për të udhëtuar drejt Kosovës për të kaluar disa ditë pushime pranë familjes dhe miqve të tij. Sulmuesi u shpall kampion me ekipin e tij, duke fituar “A Ligë” dhe më pas “Finalen e Madhe” përballë Sidneit. Në një intervistë për “Super Sport Kosova”, sulmuesi ka folur edhe për Kombëtaren, trajnerin e saj dhe, pse jo, edhe për një mundësi rikthimi me kuqezinjtë.

“Po më pëlqen shumë loja e saj dhe trajneri Xhani De Biazi. Ai ka një meritë të madhe në ndërtimin e grupit dhe formimin e skuadrës. Më gëzon shumë suksesi i Shqipërisë në këto kualifikuese dhe më ka ardhur mirë për ndeshjet që ka zhvilluar”, u shpreh fillimisht sulmuesi.

Me këtë deklaratë Berisha duket se ka tentuar që të rifitojë edhe një herë lidhjen me ekipin kombëtar, të cilin e refuzoi përpara disa kohësh për shkak të distancës së madhe që ka Australia me Europën. Sipas tij, ishte e pamundur që të udhëtonte aq shumë për të arritur të ishte në dispozicion të kuqezinjve në grumbullimet e tyre për ndeshjet kualifikuese. Megjithatë, në fjalët e tij dhe në shprehjen e lavdeve për trajnerin dhe lojën e kuqezinjve, vihet re një lloj interesimi i lojtarit që të mund të jetë edhe një herë tjetër pjesë e skuadrës.

“Dëshira është shumë e madhe që edhe një herë të luaj për Kombëtaren”, shprehet sulmuesi i Melburn Viktorit, në lidhje me Kombëtaren. Besart Berisha u shpall edhe shënuesi më i mirë në ligë me 15 gola, ku arriti që të gjente rrugën e golit edhe në ndeshjet gjysmëfinale dhe finale. Futbollisti nga Prishtina ka zgjedhur qytetin e tij për të kaluar pushimet që ka pas triumfit në Australi me skuadrën e tij.