Bekim Haxhiu – Kamishi

Diskutimi i im sot në Kuvend

I nderuar kryetar!

Duhet të jemi të vetëdijshëm se pas një ngërçi 6 mujor ka vështirësi në ecje normale, pasi çdo ngërç lë pasojat e veta. Kur ecja pas ngërçit vështirësohet edhe nga gjuajtje me gurë, normal që vështirësohet ecja përpara, drejt zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies më të mirë të qytetarëve.
Çdo trazirë e shkaktuar është të paktën një investitor më pak në Kosovë.

Diskutimin tim, sot, do ta fokusoj në dy sektor: në shëndetësi dhe zhvillim ekonomik.

Në programin e Qeverisë është planifikuar reforma në shëndetësi dhe zhvillim ekonomik.

Për këto 100 ditë qytetarët kanë pritur hapat e parë në reformën shëndetësore , duke shprehur në fillimi mirëkuptimin për ministrin Rrahamani, se ka marrë me udhëheqë një nga sektorët me problematik dhe me të ndjeshëm, ende nuk kemi pa asnjë shenjë se diçka pozitive të ketë lëvizur në shëndetësi.

Kjo gjendje në shëndetësi është jo pse nuk kemi mjekë të zot dhe profesionist të mirë , jo se na mungon hapësira dhe aparatura e nevojshme shëndetësore, por shëndetësia po dështon në menaxhim, në funksionimin të sistemit shëndetësor, në furnizim me barna dhe menaxhimin human, në kuadër të këtij sistemi shëndetësor.

Reforma duhet t’ i përmbahet udhëzimeve të OBSH-së që ajo të jetë e suksesshme. Sipas udhëzimeve të OBSH, 80-85 % e shërbimeve shëndetësore duhet të kryhet në sektorin primar dhe sekondar, ndërsa vetëm 15% në sektorin terciar.
Ndërsa, ne kemi një sistem shëndetësor që nuk punon në këtë princip, sepse regjioni i Prishtinës, që përbën komunat Prishtinën , Besianën, Obiliqin, Fushë Kosovën dhe Drenasin apo 1/3 e popullatës, nuk e ka fare të organizuar sektorin shëndetësor sekondar, ndërsa regjionet si Prizreni , Gjilani, Ferizaj, Gjakova , Peja dhe Mitrovica e kanë gjysmë të organizuar sistemin shëndetësor sekondar dhe për këta arsye ata referojnë shumicën e pacientëve në QKUK, e cila po ngulfatet dhe nuk po lejohet të kryej funksionin që e ka me ligj si institucion terciar.
Kur jemi të sektori terciar duhet të theksojmë dy probleme kyçe që janë në organizimin e saj;
Shuarja e QKUK si institucion terciar edhe pse funksionimi i saj parashihet me ligj dhe statutin e SHSKUK-së dhe menaxhimi human jo i mirë, sot në QKUK-se, në shumë klinika ka më shumë mjekë se shtretër për pacientë.

Anomalia e këtij mosorganizimi të sistemit shëndetësore është se derisa regjioni i Prishtinës nuk ka fare spital regjional, ai i Mitrovicës i ka tri gjysmë spitale regjionale në 11 km vi ajrore, spitali në Vushtrri, Mitrovicë dhe Mitrovicë të Veriut, e që për nga organizimi dhe funksionimi lënë shumë për të dëshiruar.

Miratimi i një Pako të ligjeve nga legjislatura e kaluar ; si Ligji për Shëndetësi, Ligji i Odave të Profesionistëve Shëndetësor dhe Ligji i Sigurimeve Shëndetësore, do të duhej të ishin ndihmesë në reformën shëndetësore .
Por, për këto 100 ditë nuk kemi pa se janë bërë hapa sa do të vogël drejt reformës shëndetësore të paraparë në programin qeveritar.

Të nderuar, nuk mund të pretendojmë reformë në shëndetësi dhe shëndetësi bashkëkohore pa implementim të Sistemit të Informimit Shëndetësor dhe Ligjit për Sigurime Shëndetësore.
Reforma në shëndetësi është e nevojshme, e domosdoshme , është e vonshme dhe nuk po duket se po lëvizë!

Të nderuar deputetë,
Çështja e dytë ka të bëjë me zhvillimin ekonomik i cili edhe me këtë program parashihet përmes stimulimit dhe promovimit të biznesit privat , por edhe me fokusim në zhvillimin e Trepçës.
Strategjia për Trepçën dhe Ligji për Trepçën, u potencuan edhe nga vetë kryeministri dhe ishte një iniciativë e filluar ligjore edhe në mandatin e kaluar, por jo kaq e politizuar sa tani.
Trepça kohëve të fundit ka qenë temë e debateve të shpeshta dhe të nxehta në Kuvend të Kosovës , në media dhe në opinionin publik, për shkak të rëndësisë strategjike që ka Trepça në zhvillimin ekonomik.
Ishim dëshmitar se Trepça po shkonte drejtë likuidimi, të gjithë bëmë përpjekje dhe u angazhuam që Trepçën ta shpëtojmë nga likuidimi për t’ i dhënë rrugën e zhvillimit.
Sot, nuk do të lavdëroj për veprimet që kemi ndërmarr për ta shpëtuar, ringjallur, organizuar Trepçën, sepse atë e kemi detyrim kushtetues dhe personalisht pres qasje më aktive në realizimin e objektivave për Trepçën përmes programit qeverisës.
Qasje aktive do të duhej të kishin edhe ata të cilët janë vënë në krye të Trepçës, e që në fakt, ata janë dukë bërë të kundërtën. Ata po dëshmojnë se aty nuk janë për interesa të Trepçës.
Këtë e dëshmuan edhe me njoftimin e datës 09 Mars 2015, dhe të përsëritur edhe dje në media , ku menaxhmenti i Trepçës njoftoi opinion e gjerë se Trepçën e kanë sjellë në gjendje të rëndë financiare, sipas tyre në këtë situatë ata kanë ardhë për arsye se licenca për shfrytëzim ju ka skaduar me 24 janar 2015!
Ky njoftim i menaxhmenti të Trepçës ishte një tentativë e paskrupullt e manipulimit të opinionin publik , sepse sipas Ligjit për Miniera dhe Minerale, neni 36, pika 4, KPMM-ja mundet në rrethana të veçanta dhe në ushtrimin e diskresionit të tij të arsyeshëm, të vazhdojë periudhën në fjalë, për një periudhë shtesë prej tre (3) muajve. D.m.th, në rastet kur nuk refuzohet licenca aplikuesit i lejohet vazhdimi i saj edhe për tre muaj shtesë, që në rastin e Trepçës i bie se licenca është e lejueshme deri me 24 prill 2015.
Menaxhmenti i Trepçës duke parë gjendjen buzë falimentimit në të cilën e ka sjellë këtë gjigant industrial , provoi që fajin t’ia hedh institucioneve qendrore. Mirëpo, borxhet ndaj operatorëve ekonomik, borxhet për shërbimet publike, blerja e makinerive të vjetra-për të reja, realizimi i projekteve jofitimprurëse për Trepçën, dështimi në shitjen e koncentratit dhe krijim i ekstra përfitimeve të menaxhmentit për veten e tyre në kundërshtim me ligjin , siç është rasti me “Qetën e Shpëtimit”, këto dhe shumë fakte të tjera dëshmojnë për keq- menaxhim të ndërmarrjes Trepça”. Mu për këtë arsyet dhe shumë të tjera në programin qeverisës Strategjia dhe Ligji për Trepçën duhet të jenë objektivë kryesore, sepse ka indikacione që pasi dështoi likuidimi – falimentimi juridik i Trepçës , si duket dikush prapë është duke provuar që në aspektin operacional ta falimentojnë Trepçën dhe kjo nuk mund të lejohet, sepse me zhvillimin e Trepçës do të kemi edhe zhvillim ekonomik të Kosovës.

Ju Faleminderit!