Behxhet Pacolli e Mimoza Kusari-Lila vizitojnë Mitrovicën

 

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka pritur presidentin e AKR-së Behxhet Pacolli dhe kryetaren e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, me të cilët ka biseduar rreth situatës aktuale, gjendjes së krijuar pas migrimit të qytetarëve, si dhe përpjekjet që po bënë Komuna e Mitrovicës për zhvillimin e mirëfilltë ekonomik.
Kryetari Bahtiri ju tha mysafirëve, se tani kur gjendja politike dhe ajo e sigurisë në komunën e Mitrovicës, është më  e shtensionuar dhe më e relaksuar, me tendencë  të përmirësimit të vazhdueshëm, ai dhe i tërë stafi i tij i janë përkushtuar zhvillimit ekonomik të Komunës.
“Kemi bërë punë të mirë muajve të fundit në veprimet konkrete për të nisur zhvillimin e mirëfilltë ekonomik të komunës. Kanë qenë këtu shumë investitorë, me disa prej të cilëve edhe janë lidhur kontrata për realizimin e projekteve të ndryshme, siç është ai i riciklimit të mbeturinave dhe prodhimi i 12 megavateve të rrymës elektrike, fillimi i ndërtimit të disa mini-hidrocentraleve, projekti i ndriçimit të qytetit me energji efiçiente etj.”, ka thënë Bahtiri.
Ai po ashtu i njoftoi mysafirët edhe me punën që po bëhet në ndërtimin e fabrikave për prodhimin e kërpudhave, ku dy kompani të huaja, njëra jug-koreane e tjetra japoneze, do të investojnë 105 milionë euro, në të cilat fillimisht, në pranverë, do të punësohen rreth 350 punëtorë, për të vazhduar pastaj me punësimin e të tjerëve, varësisht nga ndërtimet e fabrikave.
Kryatari Bahtiri, bashkë me Pacollin e Kusari-Lila, vizituan edhe fabrikën e parë në ndërtim e sipër, në Gushafc, për prodhimin e kërpudhave. Ata i dhanë mbështetje të plotë kryetarit Bahtiri për punën që po bënë, duke nënvizuar se vetëm krijimi i ambientit të sigurt dhe kushteve të mira për biznese e investitorë, janë garanci e fuqishme për zhvillimin ekonomik të komunës së Mitrovicës,  hapet perspektivë për punësim të të rinjve dhe krijohet mirëqenia për qytetarë.