BE-ja ka gati planin kundër trafikimit të klandestinëve

Ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes së Bashkimit Europian, pritet që të miratojnë sot misionin e shkatërrimit të mjeteve lundruese të përdorura nga trafikantët e qenieve njerëzore në Libi.

Gjatë takimit që po zhvillohet në Bruksel, Ministrat do të diskutojnë për detajet e operacionit dhe pikën e ngritjes së shtabit të përgjithshëm.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Çështjet e Sigurisë, Federika Mogerini, tha se shpreson që operacioni të nisë në javët e ardhshme, pavarësisht se nuk është marrë ende miratimi nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, si dhe nuk është gjetur ende akordi me qeverinë libiane.

“Pas udhëtimeve në Nju Jork, nuk kam parë ndonjë kundërshtim ndaj rezolutës për operacionin ushtarak. Sigurisht që, pasi të kemi miratuar planin tonë, do të kemi nevojë urgjente që Këshilli i Sigurisë ta miratojë rezolutën”, tha Mogerini.

Pavarësisht optimizmin të Mogerinit, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, bëri thirrje që të kihet kujdes me miratimin e një operacioni ushtarak në një shtet të huaj, ndërsa rezistencë ka pasur edhe nga grupimet e të drejtave të njeriut, sipas të cilave, shkatërrimi i anijeve mund të lërë emigrantët të bllokuar në Libinë e përfshirë nga kaosi.