BBC shkruan për gjakmarrjen në Shqipëri

“Thuhet se hakmarrja është pjatë që shërbehet e ftohtë dhe në Shqipëri mund të jetë vërtet e tillë”.

Kështu e nis BBC e nis lajmin e gjatë, kushtuar një fenomeni aq të vështirë shqiptar: gjakmarrjes.

Një konflikt që zgjatet në breza të tërë, duke thithur pa mëshirë edhe pasardhësit që nuk kanë pasur të bënin aspak me fyerjen apo vrasjen fillestare.

Gjakmarrja, – shkruan gjiganti mediatik anglez, – vazhdon të mbetet ende edhe sot mjaft e fuqishme, me 68 familje në rajonin e Shkodrës, aktualisht të paafta, të lëna në shtëpitë e tyre nga frika se kjo do t’i kushtojë jetën.

Reportazhi ngrihet mbi historinë e Nikos, 13 vjeç, i detyruar të qëndrojë brenda 4 mureve për krime të kryera përpara se ai të kishte ardhur në jetë. Ngatërresa që ka ngujuar familjen e Nikos ishte për çështje pronësie.

Ngujimin e adoleshentit e dhjetëra familjeve të Shqipërisë veriore, BBC e quan “një lloj vetarrestimi”.

Lajmi i konceptuar për publikun perëndimor, për të cilin një fenomen i tillë lëkundet në kufijtë e të paperceptueshmes, shpjegon se gjakmarrja do të thotë që fëmijët nuk dalin dot nga porta e shtëpisë as sa për të shkuar në shkollë.

E vetmja mënyrë që ata të arsimohen është që mësuesit t’u shkojnë në shtëpi.

E për këtë nuk fajësohen dot as rregullat e vjetra. Tani, personat e përfshirë në konflikte gjaku shpeshherë abuzojnë edhe me Kanunin.

Mësuesja e Nikos, Liljana Luani i shpjegoi BBC-së se, po të respektohet deri në fund Kanuni, atëherë gratë dhe fëmijët nuk mund të vriten.

“Por sot, – vazhdon ajo, – nuk po ndiqen më as rregullat e tij e as ligjet e shtetit, e në këtë drejtim, autoritetet e zbatimit të ligjit nuk po bëjnë aq sa duhet”.

Shefi i Policisë së Shkodrës, Gjovalin Loka mbrohet duke thënë se është bërë gjithçka për të parandaluar dhe hetuar gjakmarrjet, por janë njerëzit, ata që sipas tij keqpërdorin Kanunin, koha e të cilit për çdo rast ka kaluar e sot duhet të gjendej vetëm në arkiva. /KlanKosova/