BBC: Kosovarët të zhgënjyer në institucione, braktisin vendin

Eksodi masiv i qytetarëve të Kosovës ka zgjuar vëmendjen edhe të mediave më të mëdha botërore.”Jemi 2 milionë zogj në një kafaz duke shpresuar për një jetë më të mirë”, ka thënë një i ri kosovar për BBC-në.
Gazetari i BBC, Guy De Launey ka përgatitur një hulumtim në Kosovë, ku ka marrë prononcime nga të rinjtë kosovarë të cilët orvaten për ta gjetur rrugën e ëndrrave për t’i realizuar potencialet e tyre. BBC përshkruan ambientin e ngrohtë dhe të shëndoshë që të rinjtë kosovarë e krijojnë në një prej kafeneve të Mitrovicës të quajtur “7 arte”, por prapë zymtësia e realitetit e mbyt nganjëherë atmosferën rinore dhe entuziaste.
 Sipas BBC, edhe pse Kosova ka shpallur Pavarësinë nga Serbia që prej 7 vitesh, pak ka mbetur për t’iu gëzuar situatës në këtë vend. Kosova nuk prinë me shifrën më të madhe të papaunësisë në rajon, sepse kjo shifër i takon Bosnjës.
Mirëpo, sipas statistikave që BBC ka paraqitur, 6 nga 10 të rinj në Kosovë janë të papunë.
Kafeja “7 Arte” në Mitrovicë çdo ditë e më rrallë hap dyert për konsumatorët e saj, pasi që të rinjtë s’mund t’ia lejojnë vetes një kafe prej 50 centësh. Në këtë mënyrë është lehtë e kuptueshme se pse me dhjetëra mijëra qytetarë kanë lëshuar vendlindjen e tyre që nga fillimi i këtij viti duke e marrë mundin e udhëtimeve të tmerrshme me autobusë dhe duke kapërcyer kufijtë evropianë ilegalisht me qëllim që të arrijnë në një prej vendeve evropiane.
“Është e tmerrshme se çfarë është duke ndodhur me qytetarët e këtij vendi, por nuk është faji i tyre. Ata janë në kërkim të një jete më të mirë”, tha Ardita Gjergjeku, një vajzë e re kosovare nga Mitrovica, e cila ka pasur fatin e mirë që të sigurojë një vend pune.
Ardita përkundër punës që ka, ka vendosur ta lë Kosovën. Ajo për BBC thotë se po studion anglishten në mënyrë që të mund të përfitojë një bursë në ndonjërin prej universiteteve evropiane, apo amerikane.
Pronari i kafenesë “7 Arte”, Lulzim Hoti tha për BBC se “Shumica e të rinjve mendojnë se atje është më lehtë. Të rinjtë kosovarë mendojnë se po të ikin nga Kosova çdo gjë është më lehtë, por nuk është ashtu siç duket”, transmeton Indeksonline.
Lulzimi shprehet i brengosur për biznesin e tij. Ai thotë se eksodi mund të jetë i organizuar nga dikush. Por ai pranon se situata në Kosovë është e papërballueshme, dhe çdo njërit iu imponohet për t’i bërë gati çantat dhe për të ikur.
Në anën tjetër, përfaqësues nga shtetet evropiane kanë thënë se nuk do të pranojnë azilkërkues nga Kosova dhe se secili që hyn ilegalisht brenda zonës evropiane do të kthehet prej nga ka ardhur.
Ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku për BBC ka thënë se “Të gjithë që e kanë lënë Kosovën, do të kthehen”.
Mesazhi i Çollakut për të rinjtë është që të mos shkojnë ilegalisht askund. Ai thotë: rrini këtu që ta ndryshojmë vendin tonë.
Çollaku shtoi se “Nëse të rinjtë janë të vendosur që ta gjejnë fatin e tyre jashtë Kosovës, ata duhet të angazhohen bashkë me ne që të mundësojmë liberalizimin e vizave, në mënyrë që të përfitojmë të drejtën e udhëtimit në Evropë”.
Por, sipas BBC, shumë qytetarë të Kosovës as që mund ta imagjinojnë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës, për të cilën ata ndjejnë përbuzje.
Xhamat e objektit qeveritar kanë qëndruar të thyer me javë të tëra, pasojë e një proteste të mëhershme në Janar, gjë që dëshmon rritjen e frustrimit të qytetarëve me Institucionet.
Tom Gnocchi, përfaqësues i sektorit të ekonomisë nga BE në Prishtinë thotë se “Zgjedhjet e kaluara në Kosovë sollën fytyrat e njëjta në pushtët në pozita të ndryshme”. Por sipas tij BE beson se ndryshimi për të mirë është i mundshëm.
“Duhet t’ia japim një shans Qeverisë së zgjedhur që t’i zbatojë politikat e saj. Idetë e tyre janë të mirë, por zbatimi i tyre është një sfidë ne vete”, shtoi ai.
Përkundër shpresave për ditë më të mira, disa s’mund të durojnë më. Disa prej qytetarëve po i marrin gjërat në duart e veta sikurse Ardita Gjergjeku.
“Planifikoj të kryej masterin diku jashtë Kosovës, dhe më pas të kthehem dhe ta japë kontributin tim këtu. Dëshiroj të themeloj një kompani që t’i punësoj njerëz, drejtojë dhe vetëdijësojë ata në mënyrë që vendi im të ecë përpara”, është shprehur 22 vjeçarja.
Sipas BBC, përpara se Kosova të ketë mundësinë t’u japë të rinjve mundësinë për të planifikuar një të ardhme në vend, duket se do të humb shumë nga potencialet dhe kapacitetet e tyre të mëdha.