“Bashkë, me zemër” në Tiranë mirëpret dy solistet nga Kosova

“Bashkë, me zemër” është motoja që ka bërë bashkë në skenë muzikantë nga Shqipëria e Kosova.

Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit në Tiranë, në galanë operistike që hap sezonin mes muajve janar e mars, u ngjitën fiks shtatë solistë. Mes tyre, dy soliste nga Kosova. Sopranoja Besa Llugiqi dhe sopranoja Marigona Qerkezi iu bashkuan koncertit të realizuar nën udhëheqjen e dirigjentit Noorman Widjaja, që u mbajt të shtunën mbrëma.
Në galanë operistike të organizuar nga TKOB-i, të dyja u prezantuan përkrah me solistë të njohur në skenën shqiptare mes të cilëve Vikena Kamenica, Armando Likaj, Dorina Selimaj, Emiljana Palushaj e Evis Mula. Në koncertin e realizuar nga kori dhe orkestra simfonike e Teatrit Kombëtar dhe Operës e Baletit, dirigjent i korit ishte Dritan Lumshi.
Të dyja solistet nga Kosova, janë larguar nga skena e TKOB-it, me përshtypje të mira. Publiku i Tiranës i ka duartrokitur fort performancat e tyre.
“Besoj që ishte koncert i suksesshëm, duke u bazuar në ovacionet e publikut dhe në pritjen e ngrohtë që publiku shqiptar më fal gjithmonë”, ka thënë Llugiqi për gazetën pas koncertit në të cilin interpretoi dy arie.
Llugiqi e nisi performancën e saj me arien “Song to the moon” të shkëputur nga opera “Rusalka” e kompozuar nga A. Dvorak. Ndërsa me interpretimin e aries “Meine Lippen” nga Opera “Giuditta” e F.Lehar, solistja nga Kosova përmbylli mbrëmjen “Bashkë, me zemër”.
“Aria e dytë ishte zgjedhur nga dirigjenti si arie përmbyllëse e koncertit për shkak të karakterit që posedon, është mjaft atraktive dhe efektive njëkohësisht, por edhe e vështirë në interpretim. Dhe u prit me ovacione nga publiku i Tiranës”, ka thënë Llugiqi.
Sipas saj, përfshirja e dy solisteve nga Kosova në koncertin e së shtunës mbrëma e vulos moton rreth së cilës është realizuar galaja operistike.
“Për një privilegj të tillë duhet falënderuar drejtorin e TKOB-it, Ilir Kerni, dhe drejtoreshën artistike Abigeile Voshtina, që na japin hapësirë të prezantohemi në një skenë të vërtetë. E kjo e tregon zemërgjerësinë e tyre që është edhe motoja e koncertit ‘Bashkë, me zemër’”, ka thënë Llugiqi.
Sopranoja Marigona Qerkezi, ka thënë se është ndier e privilegjuar që ka marrë ftesë për të interpretuar mes solistëve të koncertit që u mbajt në Teatrin Kombëtar të Operës e të Baletit në Tiranë.
“Interpretova arien që në historinë e muzikës konsiderohet ndër më të famshmet në repertorin e arieve operistike dhe jashtëzakonisht sfiduese, duke u quajtur arie grandioze e shpërthyese”, ka thënë Qerkezi. Ajo në këtë koncert ka interpretuar arien “Der hölle rache” nga opera “Die Zauberflöte” e Moxartit, dhe “Mein herr Maruqies” të shkëputur nga operetta “Die Fledermaus” e kompozitorit Strauss.
“Ishte një koncert i mrekullueshëm i realizuar me profesionalizëm me solistë të përzgjedhur, kor dhe orkestër nën dirigjimin me përvojë dhe mjeshtëri të madhe nga maestro Noorman Widjaja’, ka thënë Qerkezi.
“Publiku ishte shumë i ngrohtë dhe më duartrokiti pa ndalur”, ka shtuar ajo.
Galaja operistike “Bashkë, me zemër”, është pjesë e programit që ka prezantuar nëpër medie shqiptare drejtori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, Ilir Kerni, për periudhën janar – mars të këtij viti. Në kuadër të këtij sezoni, në skenën e TKOB-it do të ngjitet sopranoja me nam botëror Ermonela Jaho.
Në fund të janar, trupa e baletit e këtij institucioni do të shfaqë premierën e “La Sylphide”, të realizuar nën koreografi të Kernit. Vitin e kaluar, të njëjtën shfaqje Kerni e kishte realizuar me Baletin Kombëtar të Kosovës.

 
Loading...