“Barrikadat” në luftën kundër korrupsionit

Agjencia Kundër Korrupsionit, ka trajtuar 304 raste për afera të korrupsionit në Kosovë gjatë vitit 2014, apo përkthyer në mjete financiare, rezulton se nga këto raste vlera e trajtuar ka arritur në mbi 1. 2 milion euro.
Zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsionit, deklaruan se keqpërdorimet më të mëdha kanë ndodhur në fushën e Prokurimit Publik.
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, derisa ka prezantuar raportin vjetor për periudhën kohore janar – dhjetor 2014, tha se flitet shumë për luftën kundër korrupsionit, por veprime konkrete nuk ka.
Ai tha se gjatë kësaj periudhe kohore, janë pranuar 248 informata, të bartura nga viti 2013 kanë qenë 56, kurse gjithsejt të trajtuar kanë qenë 304.
Nga këto raste, sipas Pretenit, kallëzime penale kanë qenë 131 raste, kundër 163 personave.
“Kosova i ka të gjitha institucionet. Kosova e ka gjithë legjislacionin gati të përmbyllur, por është problemi i vullnetit të zyrtarëve që ta realizojnë. Një prej propozimeve, rekomandim i agjencisë, është rishikimi i mandateve të zyrtarëve. Nuk është e justifikueshme që ndonjë prokuror qe katër vjet të ngre një aktakuzë, e në anën tjetër t’i ketë tri vende të punës. S’ka llogari, s’ka transparencë, ka korrupsion”, deklaroi Preteni.
Preteni tha po ashtu, se pretendimet me të mëdha për afera korruptive kanë qenë në disa fusha.
“Specifika e këtyre veprave, vazhdon të mbetet keqpërdorimi i detyrës zyrtare ose autoriteti zyrtar. Ushtrimi i ndikimit, mashtrimi në detyrë, përvetësimi në detyrë, marrja e ryshfetit, mosraportimi i pasurisë ose raportimi i rrejshëm. 99 % e rasteve të trajtuara të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, kanë të bëjnë me fushën që e rregullon prokurimin”, tha Preteni.
Një nga pengesat në luftën kundër korrupsionit, sipas Pretenit, është edhe mospublikimi i emrave të zyrtarëve të dyshuar për korrupsion.
“Kemi udhëheqës të institucioneve me rëndësi të veçantë të cilët edhe me ngritjen e aktakuzave, ata ende vazhdojnë të realizojnë detyrat e tyre. Konsideroj se në momentin kur ngritet aktakuza dhe aktgjykimi, atëherë të mos ketë kursime ndaj atyre zyrtarëve. Të bëhen publike (emrat) dhe të dihet gjithçka në lidhje me ta”, tha Preteni.