Bahtiri: Muri në Mitrovicë, do të rrënohet në shkurt

Muri i ngritur në Mitrovicë të veriut, që për autoritetet zyrtare në Prishtinë, është ilegal dhe ndarës, pritet të rrënohet në muajin shkurt, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri.

Për këtë çështje, ai ka treguar se është duke biseduar me zyrtarë të Bashkimit Evropian, por edhe me autoritetet lokale të Mitrovicës veriore. Bahtiri ka thënë se me ndihmën e BE-së ky mur do të rrënohet në, siç është shprehur ai, “paqe”.

“Muri do të hiqet për arsye, se muret nuk kanë vend nëpër qytetet e Kosovës dhe Evropës, sepse unë mendoj se Kosova do të bëhet Evropë dhe muret e tilla nuk na dërgojnë askund. Ata që e kanë ndërtuar murin, ata duhet ta rrënojnë atë. Dhe, unë kam kërkuar nga kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, që ta bëjë një gjë të tillë, për arsye se është në interesin e tyre, por edhe në interesin e përgjithshëm që një herë e përgjithmonë të lirohet qyteti, të lirohet qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mos të sinjalizojmë barrikada por të sinjalizojmë paqe”, ka deklaruar Bahtiri.

Ndërtimi i murit në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, kishte ndodhur në muajin dhjetor, nga autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut dhe është pasuar me kundërshtime të ashpra nga autoritetet e Kosovës. Për rrënimin e këtij muri, edhe Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, në bazë të së cilës muri duhet të shembet gjatë këtij muaji.

Se muri do të rrënohet, e ka thënë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke mos precizuar ndonjë datë të saktë, por siç ka thënë, “më datën 1 apo më 17 shkurt, nuk dihet por, ai do të rrënohet”.

Por, autoritetet lokale në Mitrovicë të veriut, por edhe Beogradi zyrtar, e kanë kundërshtuar rrënimin e murit.

Në anën tjetër, ministria për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, për Radion Evropa e Lirë, nuk ka dhënë ndonjë datë të caktuar për rrënimin e këtij muri.

Ajo ka thënë se tashmë është bërë e ditur se rrënimi i murit është kompetencë e instancave më të larta shtetërore të Kosovës, të cilat po punojnë intensivisht në këtë drejtim, në mënyrë që të sigurohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe të zbatohet marrëveshja e Brukselit për rivitalizimin e urës dhe rrugës kryesore të Mitrovicës veriore.

“E kemi bërë të qartë se institucionet e Kosovës e kanë obligim ta zgjidhin këtë çështje dhe për këtë është miratuar rezolutë në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, kjo nuk është një çështje e nivelit teknik”, ka thënë Edita Tahiri.

Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar ndërtimin e murit në Mitrovicë të veriut, si një nga provokimet më të rënda ndaj Kosovës dhe institucioneve të saj.

Madje, ata e kanë cilësuar atë si provokim edhe më të rëndë se sa treni i ngjyrosur me ngjyrat e flamurit serb dhe me freskat ortodokse serbe, të cilit iu ndalua hyrja në Kosovë dhe për shkak të së cilit ka pasur përplasje verbale mjaft të ashpër ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë.

   
Loading...