Arsimtari padit Komunën e Drenasit për mosvazhdim të kontratës

Më 4 shtator, arsimtari i historisë, Xhemë Elshani do të duhej të niste punën në shkollën “Halil Bajraktari” në Drenas, me rastin e fillimit të vitit shkollor 2017/2018.

Mirëpo, në ditën kur ai shkoi në shkollë, u njoftua se më nuk është i punësuar në atë shkollë dhe se orët e tij mësimore të cilat i ishin dhënë, tani do t’i mbante me nxënës një arsimtar tjetër.

Avokati i Elshanit, Visar Rrecaj ka treguar për Indeksonline rrjedhën e largimit nga puna të klientit të tij, për çka edhe ka ushtruar padi ndaj Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Drenasit.

“Klienti im Xhemë Elshani ishte arsimtar i historisë në shkollën ‘Halil Bajraktari’ në Drenas, aty punonte me kontratë me afat të caktuar, kontrata e dt. 01.09.2016 ishte kjo kontrata e tretë e klientit tim me DKA në Drenas që i bije që klienti im tani ka mbi tre vite përvojë pune se për kualifikim as që bëhet fjalë. I njëjti ka të mbaruar fakultetin e historisë sistem 4 vjeçar dhe ka titullin akademik”, ka thënë Rrecaj.

Sipas tij, Elshani ishte përpjekur për plotësimin e normës dhe kishte adresuar dy kërkesa për plotësim norme në DKA Drenas dhe atë njërën me dt.24.05.17 dhe njërën me dt. 28.06.17.

“Kjo pasi që në të njëjtën shkollë po pensionohej arsimtari i historisë Latif Kukaj dhe atë me dt. 30.07.17 dhe praktikisht orët e lira në një institucion shkollor ndahen mes arsimtarëve të asaj shkolle në mënyrë që ta plotësojnë normen atyre që nuk kanë normë të kompletuar. Mirëpo, kërkesës nuk iu përgjigjet DKA madje kjo e fundit dështon ta njoftoj punonjësin për mosvazhdimin e kontratës e cila po skadonte me dt. 31.08.17 ani pse në konkursin e dt. 26.07.17 me nr. Protokoli 09-111-42473 orët që klienti im i mbante nuk u shpallen, mbeten të lira madje as orët e arsimtarit të pensionuar nuk u shpallen fare me këtë konkurs. DKA kështu dështon në Drenas të lëshoj vendim dhe njoftim për mosvazhdim të kontratës së të punësuarit duke shkel ligjin e punës”, ka theksuar Rrecaj.

Ai shtoi se duke marr parasysh se orët nuk u shpallen në konkursin e lartpërmendur, drejtoria e shkollës “Halil Bajraktari” në krye me drejtorin e saj, Gazmend Heta me dt.31.08.2017 mban mbledhje me arsimtar dhe në atë mbledhje ndahen orët mësimore tek mësimdhënësit.

“Në këtë mbledhje, klientit tim i ndahen 13 orë të mjaftueshme për vazhdimin e kontratës, me dt. 04.09.17 fillon procesi mësimor dhe në shkollë shkon edhe klienti im, po atë ditë DKA kishte dërguar pa vendim, pa konkurs dhe pa kurrfarë njoftimi. Ish drejtorin e shkollës Shaban Polluzha në Korroticë e Epërme,  Driton Qela, ky i fundit pa konkurs mban tani orët e klientit tim. DKA  shkeli udhëzimin administrativ 08/2014 për procedurën e zgjedhjes së drejtorëve, e sipas udhëzimit neni 9, drejtorëve dhe zv/drejtorëve u ruhet vendi i punës, që i bie që pas mbarimit të kontratës ose ndërprerjes së saj, ata kthehen në vendin e punës nga kanë ardhur e jo duke sistemuar një ish-drejtor të largohet në mënyrë arbitrare, një mësimdhënës nga puna. Për shkak të shkeljeve ligjore që u cituan më lart dhe për shkak të mos vazhdimit të kontratës së punës së klientit tim kemi parashtruar padi pranë gjykatës dhe njëherit kemi ushtruar ankesa pranë Inspektoratit të Punës dhe inspektoratit të MASHT-it”, ka përfunduar avokati Rrecaj.

Lidhur me këtë, Indeksonline ka kontaktuar edhe me komunën e Drenasit.

Zyrtarë të Komunës kanë thënë se janë në dijeni për këtë rast, por duke e demantuar deklaratën e avokatit dhe klientit të tij, Elshanit.

“Ankuesi ka pasur të afatizuar kontratën nga punëdhënësi, prandaj kontrata ka qenë e afatizuar me kohë të caktuar për një vit shkollor dhe nuk ka pasur nevojë të paralajmërohet për shkëputje të kontratës. Arsyeja e largimit është fuzionimi i paraleleve me numër të vogël të nxënësve, pra nuk ka pasur orë mësimore për të mbuluar”, thuhet në përgjigjen e DKA-së në Drenas.

I pyetur se a është emëruar në vend të Elshanit, një ish-drejtor shkolle, DKA ka thënë se në këtë shkollë ka dal në pension ish-mësimdhënësi nga lënda e Historisë, Latif Kukaj dhe në vend të tij është sistemuar ish-drejtori Driton Çela në bazë të UA 8/2014 të MASHT-it.

Ndërsa sa i përket padisë që është bërë ndaj DKA-së, zyrtarët komunal kanë thënë se janë në pritje të përgjigjes.

“Po jemi në dijeni dhe ankesa e tij është shqyrtuar dhe me datën 04.10.2017 është shqyrtuar ankesa e tij nga Inspektorati i Arsimit dhe presim përgjigjen definitive”, thuhet në përgjigjen e DKA-së. /Indeksonline/