Arrestohet vëllai i Bazajt për sulm kundër Ramiz Lladrovcit në fshatin Terstenik

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Drenasit, Naim Bazaj, e ka konfirmuar për Klan Kosovën se vëllai i tij me inicialet F.B. është arrestuar si i dyshuar për kanosjen ndaj Kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovcit.

Bazaj pranon se edhe ai është thirrur në polici, dhe në mëngjesin e sotëm ka dhënë deklaratën e tij për të njëjtin rast.

Për më tepër, ai shtoi se kanosja nuk hyn në krime të rënda, ndërkaq pohoi t’i ketë thënë Lladrovcit se me 22 Tetor do të pësojë humbje të thellë, dhe se aty do të qërohen hesapet.

Bazaj tha se e ka respektuar Lladrovcin dhe se Lladrovci e ka respektuar atë deri në momentin kur është bërë Kryetar i Komunës së Drenasit.

“Kjo është fushatë, nga pak bëhen spekulime”, ka thënë Bazaj

Përkundrazi, ai e akuzon Lladrovcin se ka qenë kërcënues me deklaratat e tij në Terstenik, ku Bazaj pohon se Lladrovci ka thënë se në rast se i fiton zgjedhjet, atëherë “për Bazajn më së miri do të ishte të kërkonte azil”.

Madje Bazaj pohon të ketë edhe video incizime të Lladrovcit lidhur me këtë.