Arrestohet një kamerier për vrasjen e rojës në “Albi Mall”

Policia e Kosovës ka arrestuar një kamerier lidhur me vrasjen rojtarit në qendrën tregtare Albi Mall në periferi të Prishtinës.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani.
“Lidhur me këtë rast një person është arrestuar dhe policia është në kërkim të personave të tjerë të dyshimtë për këtë rast” ka thënë Kelani.
KALLXO.com mëson se personi i arrestuar ka vendosur të mbrohet në heshtje në hetuesi.
Avokati i tij, Asdren Hoxha, ka konfirmuar se klienti i tij është një kamerier i lokalit ku ka ndodhur vrasja.
“Policia e ka marrë në pyetje klientin tim nën dyshimin se ai ka gisht në veprën penale raste të rënda të vjedhjeve grabitqare me pasoja fatale”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, kamerieri nuk ka pranuar të intervistohet nga policia.
“Klienti im ka vendosur të mbrohet në heshtje. E vetmja provë e policisë është se ai ka punuar si kamerier në  lokalin ku ka ndodhur vrasja. Mirëpo për bindja ime si avokat është se në këtë rast policia nuk ka prova se i mbrojturi im është i përfshirë në këtë vepër penale. Unë shpresoj që i njëjti së shpejti të lirohet në procedurë të rregullt ose eventualisht t’i caktohet ndonjë masë alternative”, ka thënë Hoxha.
44 vjeçari  me profesion rojtar në qendrën Albi Mall u qëllua për vdekje mëngjesin e 30 marsit.
Në informacionet e para të policisë thuhej se 44 vjeçari u vra nga të paktën dy persona të cilët kishin për qëllim kryerjen e një grabitje në një lokal të qendrës tregtare.