Arrestohen tre persona të dyshuar për veprën penale ‘vjedhje e rëndë’

Arrestohen kryesit e shtatë  veprave  penale ‘vjedhje e rëndë’, raste këto që ishin raportuar gjatë dy muajve të fundit në zonën e stacionit policor në Vushtrri, ku cak i këtyre  vjedhjeve ishin  dyqane private dhe shtëpi.
Hetimet policore nën autorizimin e prokurorit kishin nisur muaj me parë drejt zbardhjes së veprave penale, rrjedha hetimore e hetuesve policorë, në kuadër të stacionit në Vushtrri, ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e tre personave të dyshuar: S. K. 30 vjeç, A. B. 29 vjeç, A. G. 35 vjeç të gjinisë mashkullore të përkatësisë etnike shqiptarë, banorë të Vushtrrisë, shtetas të Republikës së Kosovës, arrestimi i të cilëve është bërë në Vushtrri në orët e pasdites të datës 1 prill 2015.
Përveç tre të arrestuarve për veprat penale të vjedhjeve hetuesit policorë kanë intervistuar edhe një person tjetër të mitur në cilësi të të dyshuarit në prezencën e avokatit dhe zyrtarit të QPS, i cili më pas është liruar për procedurë të rregullt.
Të tre të dyshuarit u janë nënshtruar procedurave intervistuese që janë zhvilluar në prani të avokatëve, mbi dyshimet se në bashkëveprim të kenë kryer shtatë veprat penale ‘vjedhje e rëndë’, ku pas procedurave intervistuese nga ana e prokurorit të rastit tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.