Arena e Amfiteatrit antik të Durrësit bëhet gati për vizitorët

Pas akordimit të fondit prej 46 milionë lekësh për shpronësimin e tre banesave, ka nisur puna për shembjen e tyre me qëllim zbulimin e plotë të arenës së amfiteatrit antik të qytetit të Durrësit.

Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit kanë mundësuar dëmshpërblimin e banorëve që jetojnë mbi amfiteatër për t’i krijuar mundësi gërmimeve të mëtejshme për zbulimin e plotë të tij.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako panë nga afër punën për arenën e amfiteatrit që është e ndarë në dy faza.

“Avancuam në një fazë të rëndësishme të amfiteatrit, për të cilin kishte kohë që flitej, por vite që nuk bëhej gjë, sepse duhej një vullnet i madh për ta çliruar amfiteatri nga ndërtesa që ndodhen brenda në arenë. Përdorim mjete manuale për të qenë të kujdesshëm në çdo hap që bëjmë”, tha Kumbaro.

Banesat e ndërtuara dekada më parë mbi arenën e amfiteatrit antik, prej vitesh ishin bërë pengesë për zbulimin e plotë të tij.

Me largimin e tyre, arena e amfiteatrit do të hapet plotësisht, duke u kthyer ndër sitet me atraktive për t’u vizituar

Bashkia e Durrësit ka në vizionin e saj zbulimin e plotë të amfiteatrit,këtij aseti kaq të rëndësishëm të qytetit të Durrësit si dhe transformimin e të gjitha objekteve arkeologjike në burime për zhvillimin ekonomik të qytetit.

Gjithçka do të kryhet në mënyrë të kujdesshme, që të mos ketë asnjë lloj dëmtimi, për zonën arkeologjike.