Anëtarësimi i Kosovës në nismat rajonale i kontribuon sigurisë së rajonit

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni priti në takim shefin e Iniciativës Rajonale në fushën e Menaxhimit të Kufirit dhe Migracionit(MARRI-i), Trpe Stojanovski.
Në këtë takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe nisma ndërkombëtare dhe rajonale që është ndër prioritet kryesore të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Po ashtu u diskutua për iniciativën e Ministrisë së Punëve të Brendshme që në formë zyrtare në vazhdimësi ka kërkuar dhe ka aplikuar për anëtarësim në këtë nisme.
Ministri Hyseni vuri në dukje se anëtarësimi i Kosovës në këtë nismë do t’i kontribuonte stabilizimit të mëtejmë të situatës së sigurisë së rajonit, sidomos çështjeve që kanë të bëjnë me kalimet ilegale të kufirit dhe do të bënte shtetin tonë të barabartë dhe partner serioz i shteteve të rajonit.
Ndërsa, Trpe Stojanovski theksoi se pas konferencës Ministrore te mbajtur më datë 10 qershor 2014 në Cavtat të Kroacisë, ku shtetet anëtare të MARRI-it me unanimitet kanë aprovuar deklaratën përmes së cilës mirëpresin pjesëmarrjen e Kosovës në aktivitetet e MARRI-it.
Kjo iniciativë trajton çështjet e bashkëpunimit rajonal në fushën e menaxhimit të kufirit dhe migracionit. Duke qene se kjo është ndër fushat kryesore edhe në Kapitullin 24 të Legjislacionit të BE-së, Kosova do të përfitonte nga anëtarësimi në këtë organizate si mekanizëm për të shkëmbyer përvojat më të mira dhe për të ndjekur qasje të përbashkët rajonale për çështjet të cilat ndërlidhen me menaxhimin e kufirit dhe migracionit.
Hyseni theksoi se anëtarësimi me të drejta të plota i Kosovës në këtë organizatë rajonale është i domosdoshëm për të mundësuar kontributin e plotë.
“Zgjidhjet gjysmake dhe statusi i paqartë i Kosovës në këtë organizatë nuk i ndihmon krijimit të një klime më të mirë të bashkëpunimit rajonal. Kosovës duhet t’i mundësohet pjesëmarrja e barabartë dhe anëtarësimi i plotë në nisma rajonale, me qëllim që të eliminohen mospërputhja midis kontributit që jep Kosova dhe statutit të paqartë të saj”, theksoi Hyseni.