Ambasadori Greg Delawie – një diplomat i karrierës

Ambasadori i ri i SHBA në Kosovë, Greg Delawie është nominuar në fillim të marsit nga presidenti Barack Obama dhe aktualisht është në pritje të konfirmimit nga ana e Senatit Amerikan.
Sipas ligjeve Amerikane, të gjithë të nominuarit në Kabinetin e presidentit, pastaj ambasadorët si dhe traktatet e ndryshme ndërkombëtare duhet të konfirmohen nga Senati.
Për diplomatin Delawie do të jetë kjo pozita e parë në cilësinë e kryediplomatit në një vend të jashtëm, pra ambasador, ndërsa në Kosovë ai do të zëvendësojë ambasadoren e deritashme, Tracey Ann Jackobson, transmeton rt.
Ambasadori i ri në Kosovë, Greg Delawie është një oficer i karrierës në shërbimin e jashtëm dhe është i diplomuar në ekonomi nga Universiteti Harvard. Në karrierën e tij diplomatike ka shërbyer në Turqi, Kroaci dhe Gjermani ku në Zagreb dhe Berlin ka qenë zëvendësshef i Misionit Diplomatik Amerikan. Z. Delawie derisa pret konfirmimin si kryediplomat amerikan në Kosovë vazhdon të kryejë detyrën e zëvendës ndihmëssekretarit për siguri evropiane, teknologji dhe verifikimin e zbatimit në Byronë e Kontrollit të Armëve.