Albin, deputeti yt Fisnik Ismaili paguhet nga Blerim Devolli 4 mijë euro në muaj

Albin Kurti, Lideri historik i Lëvizjes “Vetëvendosje”, ka goditur rëndë Korporatën “Devolli” për lidhje me politikanë të korruptuar, keqpërdorime të shumta dhe fitime marramendëse në kurriz të qytetarëve të Kosovës. Ai ka përmendur Adem Grabovcin, i cili dëgjohet edhe në disa përgjime teksa kërkon nga Shkëlqim Devolli që “t’ia lagë fytin”. Por ka harruar të përmendë se fyti i deputetit të “Vetëvendosjes”, Fisnik Ismaili, “laget” nga Blerim Devolli.

Albin Kurti ka mbajtur një fjalim të jashtëzakonshëm sot në Parlamentin e Kosovës, ku ka goditur rëndë vëllezërit Devolli. Ai, në fakt, ka thënë krejt atë që ka shkruar Gazeta Express tash e katër vjet për këtë kompani që ka arritur t’i kapë krejt politikanët më të rëndësishëm të Kosovës.

Por, Albin Kurti nuk i ka përmendur disa fakte që shkojnë kundër partisë së tij, Lëvizja “Vetëvendosje”.

Fisnik Ismaili, bie fjala, deputet i Albin Kurtit, ka pranuar publikisht se merr para nga Blerim Deviolli.

“Birra Peja është klient i Karrotës shumë moti. Si prodhues vendor që është, me FORT qef ia bajmë reklamat. Po, e njajta Karrotë në 2010 ia ka ba logon edhe krejt reklamat Z mobile, kur u pat futë në treg me shumë sukses. Karrota ka ba edhe plot logo të tjera. Edhe çdo kompanie vendore ME FORT QEF i kryejmë punë”, kishte shkruar muaj më parë në Facebook, deputeti Ismaili.

“Për pak vite këta u bënë pronarë të kompanive më të fuqishme në vend si fabrika e miellit M&Sillosi, Qumështorja VITA, Princ Caffe, Fabrika e sfunxherit “Comodita dopio”, fabrika e lëngjeve “Tango”, “Z-mobile”, Qendra e homologimit, Terminali doganor në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë, Birra e Pejës, thuhet se edhe televizioni Klan Kosova është i tyre etj. Etj”, tha sot ndërkaq në Parlament Albin Kurti.

Edhe në Komunën e Prishtinës kompania Devolli favorizohet ndjeshëm. Veçanërisht Birra Peja (pjesë e kësaj kompanie). Madje, me drejtorët e kësaj kompanie nuk hezitojnë të fotografohen edhe Kryetari Shpend Ahmeti dhe Nënkryetari Dardan Sejdiu.

Dy javë më parë, Ahmeti madje u fotografua në jahtën e Blerim Devollit të ankoruar në Budva të Malit të Zi.

“Të gjithëve na kujtohet pronto biseda e Adem Grabovcit me Shkëlqim Devollin, ku Grabovci i thotë Devollit “Kqyre se s’mujta me të thirrë… m’u ka zbraz krejt fyti…”, ndërkohë që Devolli i përgjigjet “U bo shef, qe po t’i çoj…”. Shtrohet pyetja, a ju ka tharë fyti vetëm njëherë Grabovcit apo nuk i kanë publikuar pronto ankesat e tjera për tharje fyti? Cilido variant është më i keq se tjetri”, tha Kurti.

Në fakt, duket se Devollët “po ua lagin fytin” edhe vetë deputetëve të Albin Kurtit.