“Air Serbia” nuk e njeh Kosovën, shkel marrëveshjen e Brukselit

Ndonëse Kosova dhe Serbia janë marrë vesh në Bruksel për lëvizje të lirë dhe të papenguar, të atyre që bartin dokumentet e Kosovës, nëpër Serbi dhe nga aeroportet e Beogradit dhe Nishit, kompania “Air Serbia” edhe më tej nuk i pranon këto dokumente.

Prishtina zyrtare ka thënë se lidhur me këtë problem do t’i drejtohet Brukselit.

Me një situatë të tillë është përballur Zylfija, një qytetare e Prishtinës. Duke u bazuar në faktin se marrëveshja e Brukselit mundëson lëvizjen e lirë dhe të papenguar, gjë të cilën ia kishte konfirmuar edhe policia kufitare e Serbisë, Zylfija ka provuar që përmes internetit ta blejë një biletë aeroplani në kompaninë “Air Serbia” për të udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Tiranë, përmes Beogradit.

Por, kur sistemi ka bërë kërkimin që të zgjidhet shteti që ia ka lëshuar pasaportën udhëtarit, Kosova nuk ishte në listë.

Zylfija ka kontaktuar me kompaninë “Air Serbia” në Beograd, duke e sqaruar problemin dhe ka pyetur nëse ekziston çfarëdo mundësie që të blihet një biletë për udhëtarin që posedon vetëm pasaportën e Kosovës.

“Pasi që më thanë disa herë që të prisja, u lajmërua një zonjë e cila më pyeti se çfarë është ajo pasaportë e Kosovës? I thash që është pasaportë që e lëshon Kosova. Më pas, ajo më tha se duhet të shfrytëzoj dokumente të vlefshme, sikurse për shembull ata serbë apo shqiptarë. Më pas ma mbylli telefonin. Isha e befasuar jo këndshëm me përgjigjen që mora por edhe me tonin me të cilin bisedonte me mua. Unë nuk kërkova që të ma dhuronin biletën, sepse unë e paguaj atë. Veçanërisht isha e befasuar me këtë, pas bisedës dashamirëse me policinë kufitare”, ka thënë Zylfija për Radion Evropa e Lirë.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me kompaninë “Air Serbia” dhe e ka pyetur se cilat janë gjasat që të blihet një biletë aeroplani në qoftë se udhëtari ka dokumente të Kosovës. Shërbyesi i kësaj kompanie ka thënë se “Air Serbia” nuk e konsideron të vlefshëm pasaportën e Kosovës.

“Vërtetë nuk e di se si do ta blini biletën. Nuk ekziston ndonjë opsion që të blihet ajo biletë”, ka thënë shërbyesi i kompanisë “Air Serbia”.

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo çështje do të shtrohet në Bruksel, në momentin që dialogu ndërmjet Kosovë dhe Serbisë do të vazhdojë.

“Në ndërkohë , tashmë kam kërkuar nga koordinatori i Marrëveshjes për lëvizje të lirë që ta informojë Brukselin lidhur me këtë çështje”, ka thënë ministrja Tahiri.

Ajo ka shtuar se me Marrëveshjen për lëvizje të lirë, qytetarëve të Kosovës u është mundësuar që me dokumente shtetërore të shfrytëzojnë pikat transitore në Serbi, në rastet kur udhëtojnë, përfshirë këtu edhe aeroportin e Beogradit.

“Fakti që ‘Air Serbia’ ka refuzuar që të ta pranojë këtë fakt, flet për shkelje të Marrëveshjes së Brukselit nga ana e Serbisë, sepse Serbia, si palë në këto bisedime, është dashur të njoftojë ‘Air Serbia’-n ose e gjithë kjo mund të jetë që vet kompania refuzon ta bëj një gjë të tillë. Megjithatë, mendoj se kjo është përgjegjësi e palës serbe, e cila me këtë rast ka shkelur marrëveshjen”, theksoi Tahiri.

“Air Serbia” ende nuk ka dhënë ndonjë përgjigje zyrtare në pyetjen se a është kjo kompani e njoftuar lidhur me marrëveshjen.

Në bazë të marrëveshjes në Bruksel, në shtator të vitit 2014, pala serbe ka vendosur që t’ua mundësojë lëvizjen bartësve të dokumenteve të Kosovës edhe nga aeroporti “Nikola Tesla” në Beograd, ashtu sikurse nga aeroporti në Nish.

Përveç kësaj, shtetasit e Kosovës me dokumente shtetërore, gjatë udhëtimit mund t’i shfrytëzojnë gjashtë pika transitore ndërmjet Serbisë dhe vendeve të treta, sikurse Hungaria, Kroacia, Maqedonia dhe Bullgaria.

Në rast të udhëtimit me aeroplan, shtetasit e Kosovës, që nga 22 shtatori i vitit 2014, mund ta shfrytëzojnë aeroportin e Beogradit, ndërkaq nga 15 nëntori i vitit 2014 edhe aeroportin e Nishit.

“Air Serbia” është trashëgimtare e “JAT Airweys”, pas kontratës së nënshkruar për partneritet strategjik, në vitin 2013, me “Etihad Airweys”, kompani kjo nga Emiratet e Bashkuara Arabe. “Etihad” është pronare e 49 për qind të kompanisë, ndërkaq, pjesa e mbetur është në pronësi të Serbisë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për momentin është suspenduar me rezolutën e Kuvendit të Kosovës, deri në lirimin e Ramush Haradinajt nga Franca, i cili është ndaluar në bazë të një fletarrestimi serb.

 
Loading...