Ahmeti dhe Thaçi kërkojnë kryeministrin, presidentin ose kryeparlamentarin e Maqedonisë

 

Rrallë e hiç i kemi parë krerët e partive shqiptare të Maqedonisë të flasin me një gjuhë të përbashkët,shkruan Klan Kosova.

Por kjo ka ndodhur në takimin e katër liderëve të subjekteve politike të zhvilluar një ditë më parë në Shkup.

Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi kanë kërkuar miratimin e një dokumenti 7 pikësh, që flet për të drejtat e komunitetit shqiptar në Maqedoni, si  një rrugëdalje nga kriza e thellë politike që ka përfshirë Shkupin zyrtar.

Siç merr vesh Klan Kosova, në takimin e zhvilluar në Klubin e Deputetëve në Shkup, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti dhe lideri i PDSH-së Menduh Thaçi kanë insistuar në miratimin e dokumentit kur në tryezë kanë pasur përballë kryeministrin Nikolla Gruevski dhe kryetarin e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë Zoran Zaev.

Ahmeti dhe Thaçi kanë drejtuar një kërkesë fundamentale në këtë dokument.

Ata kanë kërkuar që të garantohet se një shqiptar do të drejtoj një nga tre postet kryesore të Maqedonisë. Kjo do të thotë pozitën e Kryeministrit, Presidentit ose Kryetarit të Kuvendit.

Kjo kërkesë e liderëve të BDI-së dhe PDSH-së nuk ka gjetur mirëkuptim nga Gruevski dhe Zaev, gjatë takimit të së martës.

Më tutje në dokumentin shtatë pikësh të cilin e posedon Klan Kosova, Ahmeti dhe Thaçi kanë kërkuar zbatimin e pozitës juridiko-kushtetuese të shqiptarëve sic parasheh Marrëveshja e Ohrit.

Dy liderët kërkojnë  vendimmarrje konsensuale dhe ndarje të drejtë dhe proporcionale të buxhetit të shtetit.

Në dokument kërkohet zyrtarimi i plotë i gjuhës shqipe në Maqedoni dhe de-etnizimi i simboleve shtetërore, që përfshin (flamurin, himnin dhe stemën)

Sipas këtij dokumenti dhe përtej marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët kërkojnë ndarje të re territoriale.