AGRONOMIA E AUTOMATIZUAR: A MUNDEN ROBOTËT, DRONËT DHE ‘INTELIGJENCA ARTIFICIALE’ TË NA SHPËTOJNË NGA URIA?

Nga Will Nicol

Agronomia ka përshkruar një rrugë të gjatë në shekullin që lamë pas. Ne prodhojmë ushqim si kurrë më parë, mirëpo modeli i tanishëm i të prodhuarit është i paqëndrueshëm; dhe, përderisa popullata e botës shpejt po i afrohet 8 miliardëshit, metodat e prodhimit modern të ushqimit, po duam ta mbajmë ritmin, do të kenë nevojë për një transformim radikal. Por fatmirësisht, tani eksiztojnë teknologji të reja që mund ta bëjnë këtë të mundur. Në këtë artikull, ne do t’i eksplorojmë disa nga zgjidhjet inovative dhe moderne, që fermerët, shkenctarët dhe ndërmarrësit janë duke punuar në to, për t’u siguruar që askush të mos mbetet i uritur në këtë botën tonë të ngjeshur.

Në veprën kryesore të Thomas Malthus të vitit 1789, – edhe pse shpesh e kritikuar, – në një ese mbi “Principin e Popullatës”, ekonomisti Thomas hulumtoi gjatë historinë njerëzore, duke i vëzhguar popujt e ndryshëm, rastet kur ata kishin mungesë të ushqimit, mungesë kjo që vinte duke u rritur derisa edhe rezervat mbaronin. Në këtë pike, pra, kemi të bëjmë me mungesë totale. “Uria duket të jetë hapi i fundit, më i tmerrshëm i natyrës” – thotë ai. “Fuqia e popullatës është aq shumë superiore ndaj fuqisë së prodhimit të ushqimit për njeriun në Tokë, saqë vdekja e parakohshme doemosdo e viziton, në një formë apo tjetër, racën njerëzore.”

Edhe pse parashikimi i Malthus mund të dukej poetik, nuk erdhi në eksiztencë për t’u harruar. Përkundrazi, revolucionet në industri dhe agronomi erdhën, dhe me to, një rritje substanciale e prodhimit dhe tregtisë së ushqimit. Optimistët fituan, gjersa Malthus u bë patroni i shenjtë i ekonomistëve të krisur, një predikues zhelan në rrugët e historisë.

Megjithëqë ekonomistët modernë dhe teknologët utopikë e shohin Malthus me përbuzje, argumentet e tij ishin të arsyeshme me faktet e paraqitura në atë kohë. Ndoshta teknologjitë e reja, që mundësuan rritjen e madhe të popullsisë në shekujt e fundit, nuk i japën fund mundësisë për një katastrofë malthusiane, por thjesht e shtynë atë për një afat tjetër? Njerëzimi ka qenë i aftë të kultivojë larg, shumë më larg se Malthus ç’do të kishte mundur të imagjinojë – sipas disa vlerësimeve të përafërta, popullsia botërore në vitin 1800 ishte 890-980 milion njerëz, kurse sot popullsia botërore e kalon shifrën 7.4 miliard – por sa gjatë mund të vazhdojë ky trend?

OKB parasheh se popullsia botërore do të arrijë shifrën 8.5 miliard deri në vitin 2030 dhe 9.7 miliard deri në vitin 2050. Shumica e popullsisë së botës është e koncentruar në Kinë dhe Indi; secila nga këto shtete kanë më shumë se 1 miliard njerëz, ndërsa India mendohet se do ta kalojë Kinën deri në vitin 2022.

Teknologjitë dhe teknikat e reja agrare kanë mënjanuar urinë e thellë që Malthus e kishte parashikuar. Megjithëse njerëzve më parë u duhej të mbillnin farat kuturimthi me duar, tani makinat mbjellëse u mundësojnë fermerëve të mbjellin në vija të gjata, të renditura. Me traktorë, fermerët mundën të lërojnë hapësira të mëdha toke, pa nevojën e ndonjë kafshe të ngadaltë. Makinat e shirjes kursejnë dukshëm orët e shumta që merrte shirja me duar.

Me popullsinë e botës duke u rritur në shifra tronditëse dhe me rritjen ekonomike, duke mundësuar konsumim më të madh, botës mund t’i nevojitet tjetër revolucion agrar për ta mbajtur vetën.

Një zgjidhje e problemit mund të gjendet në automatizim. Derisa agronomia është automatizuar gjithnjë e më shumë në 200 vitet e fundit, procesi është vetëm duke u përshpejtuar. Teknologji të reja, dhe dronët në veçanti, po u mundësojnë fermerëve të përmirësojnë rendimentin e të korrurave të tyre dhe produkteve të bagëtive, ashtu siç edhe shpejt i neutralizojnë kërcënimet si sëmundjet apo thatësirat.

DRONËT MUND TË JENË FERMERËT E SË ARDHMËS

“Kjo fjalë për dikë mund të duket e stigmatizuar”, Dr. Lav Khot, profesor në Universitetin Washington State dhe specialist në menaxhimin e të korrurave, thotë për termin dron. Shumë ithtarë të përdorimit komercial të dronëve preferojnë terme tjera si sisteme ajrore pa pilot, frazë më e gjatë që i mungon pjesa foljore. Nuk është vështirë të shihet pse: për shumë njerëz, fjala dron asocion mjete ushtarake, makina fluturuese që hedhin bomba apo spiunojnë targete nga lart.

Studiues sikur Khot po eksperimentojnë metoda të ndryshme për të treguar se dronët mund të përdoren në agronomi, duke i përdorur ato “për paqe e jo për lufta”. Ajo që i ngacmon kultivuesit për përdorimin e droneve, është imazhi që ofrojnë ato për të mbjellurat. Dronët, të pajisur me sensorë multispektral, u mundësojnë fermerëve të analizojnë tokën e tyre, të marrin fotografi që zbulojnë gjëra si plleshmërinë e tokave, sasinë e ujit që nevojitet për të mbjellurat dhe shumë përfitime të tjera.

Në të kaluarën, fermerëve u duhej të mbështeteshin në imazhe satelitore, për të marrë harta të detajizuara të tokave të tyre, por ky proces mirrte shumë kohë. Imazhet satelitore shpesh vonohen deri në 14 ditë, tha Khot për Digital Trends, dhe, përveç kësaj, mund të ketë vonesa tjera për shkak të mundësisë së zënies së pamjes nga retë apo faktorëve të tjerë. Me dronë “ju mund të merrni çfarë të doni, hipotetikisht.”

Ky kthim i menjëhershëm nuk mbaron me kaq; në rastet kur bimët janë të prekura nga sëmundjet apo dëmtuesit, dronët mund të bëjnë diferencën e “ta shpëtosh një bimë apo ta shohësh atë duke vdekur”. Duke folur për The Guardian, Selman Siddik, një studies nga Instituti për Menaxhim të Ujit, shpjegon si imazhet e dronëve mund të përdoren për të zbuluar sëmundje dhe stresorë të tjerë në bimë.
“Aktiviteti fotosintetik zvogëlohet, dhe kjo ndikon në klorofil, – thotë ai, – imazhet multispektrale mund të zbulojnë këto ndryshime herët, para se problemet të arrijnë shkallën e të qenurit të dukshme për syrin e njeriut”.

Kjo ndodh sepse klorofili, molekula që u jep gjetheve pigmentin e gjelbërt, rritet në dritë, përderisa reflekton një sasi të madhe të dritës infrakuqe. Kur një bimë është e sëmurë, ajo do të reflektojë më shumë dritë që e prek atë, dhe do të reflektojë më pak valë infrakuqe. Imazhet infrakuqe mund t’u tregojnë fermerëve nëse bimët e tyre janë duke reflektuar sasi jonormale të dritës, duke i drejtuar ata drejt problemit.

AGRONOMI, NJIHU ME AUTOMATIZIMIN!

Një nga projektet kryesore të Khot, për momentin, fokusohet në ujitje, eksperimentim të teknikave të ndryshme të ujitjes dhe sasive të ujit, dhe përdorim të imazheve të dronit për të analizuar shëndetin e bimëve. Merrne ujitjen nëntokësore për shembull. Ky është një proces në të cilin tubët që lëshojnë ujë, janë të vendosura nën dhé, duke e dërguar ujin drejtpërdrejt në rrënjët e të mbjellurave. Khot dhe ekipi i tij u munduan ta përshtatnin vendin e tubëve, duke i testuar ato në gjatësi 15-30 centimetra nën vreshta.

Ata e ndryshuan edhe sasinë e ujit të përdorur si pjesë të hulumtimit të tyre dhe i përdorën imazhet e dronëve për të vëzhguar të mbjellurat, test “për të parë nëse ne mund të shkojmë deri në 60% apo 30% dhe sërish bima të rritet dhe të jetë e mirë aq sa të japë rendiment.”

Khot gjithashtu punoi edhe me ujitjen mbi dhé, duke i testuar spërkatësit e vendosur në lartësi të ulta (jo më shumë se një metër mbi tokë) dhe duke i lëvizur spërkatësit më afër mbulojës. Kjo do të zvogëlonte avullimin që ndodh kur uji lëviz nëpërmjet ajrit.

Studimi i Khot mund të shihet me rëndësi edhe më të madhe gjersa ndryshimi klimatik po zhvillohet. “Në Washington, në vitin 2015, ne kapëm temperaturat më të larta gjatë viteve të fundit, – Khot tha, – një zhvillim që mund të jetë rezultat i ndryshimit të klimës. Për t’u përgatitur për vite më të nxehta, Khot dhe kolegët e tij studiues janë duke testuar lloje të ndryshme të fasuleve pinto, për të parë si ato reagojnë në ndryshimin e sasisë së ujit. Kjo do duhej t’u ndihmonte atyre të zbulojnë cilat fasule do të jenë investim më i mirë për fermerët kur temperaturat rriten në të ardhmën.

Por jo të gjithë dronët shfrytëzohen për imazhe. Një projekt që Khot e përshkruan është këndshëm i thjeshtë. Të eksperimentosh me një model më të madh të UAS, një Yamaha RMAX (helikopter pa ekipazh që në Japoni është shumë i njohur për spërkatje), Khot dhe ekipi i tij erdhën me një zgjidhje të mençur për një problem që i ka torturuar fermerët e Washingtonit.

Vishnja është një nga kulturat kryesore të fermerëve të Washingtonit, porse asaj i duhet të përballet me një “bela” trazuese: shiun. “Kur fruti i vishnjes piqet, në përbërje të saj ka sasi të madhe të sheqerit, dhe lëkura bëhet shumë e fortë”, – shpjegon Khot. Kur shiu fillon të bjerë mbi drunjtë frutorë, mund të flejë mbi mbuloja, dhe lëkura e fortë e vishnjeve do ta thithë ujin. Përderisa vishnjet pijnë lagështinë, ato fillojnë të fryhen dhe çahen.

Kultivuesit e vishnjes mund të provojnë të zvogëlojnë dëmin nga shiu duke i korrur vishnjet shpejt, apo duke i tundur degët për të larguar pak nga uji. Khot vuri në fluturim një RMAX në lartësi të ulët mbi drunjtë frutorë që të përndajë ujin nga mbulojat. Është metodë më efikase se të tundurit manual të pemëve të vishnjeve me dorë, – dhe shumë më e lirë se “të punësuarit” e një helikopteri pilot që të vijë dhe ta bëjë këtë, – megjithatë, jo e pagabueshme. “Drunjtë frutorë, këtu në Washington, nuk janë të gjithë të drejtë; ka edhe të pjerrët, kështu që çdo vjet ndodhin disa aksidente me RMAX”, – tha Khot.

MË SHUMË SE ROBOTË FLUTURUES

Droni duket të jetë një mjet premtues për fermerët që duan të shkojnë përpara, por ai nuk është i vetmi shembull i automatizimit të botës agrare. Lozat robotike janë duke u përhapur në çdo aspekt të bujqësisë, duke sjellur një prekje të ftohtë edhe te pjesa më intime e një dite të një fermeri: mjelja e lopëve.

Makinat që kryjnë procesin e mjeljes duken sikur fitore për fermerët. Të mjelurit me dorë sot rrallë përdoret, – pas të gjithash, kush do të donte të shpenzonte orë të tëra për ditë duke shtrydhur sisat e lopëve e duke vuajtur nga shikimi vezullues e xheloz i viçave?, – pasi që fermerët i përdorin makinat e mjeljes me vite që tani. Këto makina kërkonin ndërhyrje njerëzore; sidoqoftë, fermerët sërish duhej të vendosnin kupa në thitha të lopëve dhe të pritnin derisa makinat të nxirrnin qumështin.

Me teknologji më moderne, procesi i mjeljes mund të bëhet edhe pa atë ndërhyrje të vogël të njerëzve. Sisteme të avancuara të mjeljes bëjnë që lopët t’u qasen një roboti të mjeljes kur ato e ndiejnë nevojën. Lopa, e trajnuar nga pronari, hyp mbi një pllakëz, e cila nis procesin e mjeljes. Makina i njeh lopët në bazë të etiketave të tyre, dhe, nëse një lopë nuk është mjelur brenda një kohe të caktuar, makina do të hyjë në funksion, duke dezinfetuar sisën dhe duke ngjitur kupat thithëse me sisat.

I tërë procesi është i përshtatshëm për fermerët dhe, me sa duket, i rehatshëm për lopët. Duke folur për BBC, fermeri Robert Veich pohon se procesi bën që kafshët të jenë më të lumtura dhe më produktive, duke thënë: “Lopët i përgjigjen rehatisë. Sasia është rritur nga 28 litra në një mesatare të 36 litrave në ditë, pa ndonjë rritje të madhe të shpenzimeve në të ushqyer.

Fermat e bylmetit nuk janë vendi i vetëm në të cilat automatizimi ka zënë pjesë. Së fundi ka filluar t’i prekë edhe kopshtet frutore, të cilat u kanë rezistuar mekanizimit përgjatë viteve.

Deri së fundi, mbledhja e frutave ia ka dalur t’i bëjë ballë marshit të automatizimit, më së shumti për arsyje se frutet janë delikate dhe makineria mund t’i dëmtojë ato apo pemët që i prodhojnë ato. Një botim i vitit 2011 nga Migration News thotë se shumë nga mbledhja e mollëve ende bëhet me duar, dhe se shumica e kohës së punëtorëve shpenzohet jo në të mbledhurit e mollëve, por në lëvizjen e shkallëve që përdoren për t’i arritur ato dhe në bartjen e çantave poshtë e lart. Ashtu siç Shefi Ekzekutiv i Abundant Robotics, Dan Steere, shpjegoi për Digital Trends: “problemet kryesore janë se fruti është i vështirë për t’u parë nga kompjuterët dhe është delikat. Deri tani, nuk ka qenë e mundshme që të identifikohet prodhimi me besueshmëri, apo të automatizohet korrja pa dëmtuar prodhimin.”

Pavarësisht vështirësive, inxhinierët janë duke kërkuar për mënyra më efikase të mbledhjes së frutave përmes automatizimit. Kompania e Steere po punon në një makinë që mbledh mollët; një kompani tjetër, Energid, ka ndërtuar një makinë që mbledh portokaj. Roboti mbledhës i mollëve i Abundant Robotics përdor një tub të zbrazët për t’i thithur mollët nga pemët, gjersa roboti i korrjes së portokajve nga Energid i tund portokajt nga pemët dhe i kap ato.

Mbase mjeti më ikonik bujqësor, traktori, po ndërmerr një transformim të vetëvetës!? Traktorë autonom, sikur që është rasti i IH – koncepti i mjetit autonom, mund të zëvendësojnë traktorët që operohen nga njerëzit në shumë ferma. Këto makina madje as që kanë ndonjë ulëse për shofer! Ajo mund të udhëtojë përgjatë rrugëve të paracaktuara dhe të programuara nga operatori i saj, i cili mund t’i gjurmojë lëvizjet e traktorit dhe ta ridrejtojë atë, nëse nevojitet, vetëm me një aplikacion. Traktori mund edhe të dallojë pengesa në rrugë, të ndalet dhe t’i shmangë përplasjet. Prodhuesit e traktorit autonom si New Holland madje pretendojnë se traktorët do të mund t’u reagojnë ndryshimeve të motit.

Video Player

00:00
00:29

Teknika autonome bujqësore s’është vetëm një përshtatshmëri, që u mundëson fermerëve të shtrihen e të pijnë kafe gjersa robotët bëjnë punën. As nuk është thjesht një pajisje që pakëson shpenzimet e fuqisë punëtore. Por teknika autonome mund t’i largojë kufizimet e trupit njerëzor prej një industrie tradicionale rraskapitëse. Diçka edhe më intriguese është se bujqësia mund të bëhet një proces 24 orësh, i pandërprerë nga errësira apo nevoja për gjumë.

Imazhi tradicional i një fermeri si një njeri i thinjur në një xhaketë Carhartt, duke kapur timonin e traktorit John Deere me duar me lëkurë kallo, mund shpejt të shuhet. Në vend të tij, një njeri i ngjeshur duke drejtuar një flotë të makinave me iPad-in e tij nga komoditeti i një zyreje.

A DO TË JETE KJO MJAFT?

Të gjitha këto teknologji të verbojnë nga shëndritja, por pyetja mbetet: a do të mjaftojnë për të mbajtur grykën në rritje të konsumimit? Organizata për Ushqim dhe Agronomi e Kombeve të Bashkuara vlerëson se, për të ushqyer një popullsi urbane botërore, që është në rritje konstante, prodhimi i drithërave do të duhet të rritet në 3 miliard ton metrik; prodhimi i mishit do të duhet të rritet në 470 milion ton metrik. Kjo po që është sasi e madhe e ushqimit!

Për t’i komplikuar gjërat është fakti se teknologjia nuk vendos vetë sa shumë ushqim han bota. Në kohën e globalizimit, tregtia mbart ushqim përgjatë kufijve e oqeaneve. Gruri nga Oregoni përfundon në mullinjtë e Azisë, mishi nga Japonia mund të përfundojë në një pjatë në New York. Edhe nëse shtetet individuale rrisin prodhimin e ushqimit me ndihmën e automatizimit, gjendja e marrëveshjeve ndërkombtare të tregtisë do të përcaktojë ku do të shkojë ai ushqim. Në një botë në të cilën gara nacionaliste duket mbizotëruese dhe marrëveshjet e tregtisë qëndrojnë mbi një tokë të lëkundshme, rrjeti global i tregtisë së ushqimit mund të ndryshojë dramatikisht.

Për këto arsyje, do të ishte naive të përfundojmë se vetëm automatizimi agronom do të ishte i mjaftueshëm të na shpëtojë. Problemi që e hasim është kompleks dhe i shumanshëm, dhe asnjë risi teknologjike individuale e vetme nuk mund të na ndryshojë neve fatin. Por pavarësisht faktit se nuk do të ketë asnjë plumb të argjendtë në këtë luftë, ne duhet të ngushëllohemi në faktin se automatizimi është veç një shigjetë në një mbajtëse shigjetash. Një zbulim i madh apo një zgjidhje kreative s’do të jetë e mjaftueshme, por njëqind prej tyre do të mund ta bënin marifetin – dhe nëse është një gjë që e kemi në mungesë si specie, janë idejat kreative.

Më në fund, e kaluara mund të jetë burimi më i madh i ngushëllimit. Historia tregon se teknologjia mund të ndihmojë në të ushqyerit e botës, andaj ne kemi çdo arsyeje të besojmë se ajo mund të vazhdojë këtë avaz edhe në të ardhmen.

Përktheu: Festim Klinaku / Gazeta Bujku

Burimihttp://www.digitaltrends.com/cool-tech/automated-agriculture-can-robots-drones-ai-save-us-from-starvation/

 
Loading...