Admir Mehmedi te Gladbachu?

Admir Mehmedi nuk ka arritur që me skuadrën e tij Freiburg të sigurojë mbijetesën në Bundesligën gjermane.

Mirëpo, gjasat janë mjaft të mëdha që 24-vjeçari edhe edicionin e ardhshëm të jetë në elitën e futbollit gjerman.

Siç raporton gazeta zvicerane “Blick”, Borussia Moenchengladbachu, pjesë e së cilës është Granit Xhaka, po interesohet për shërbimet e Mehmedit.

Freiburgu ra nga elita gjermane, pas humbjes që pësoi të shtunën në udhëtim ndaj Hannoverit me rezultatin 2:1. Mehmedi ishte titullar dhe luajti tërë ndeshjen, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ai ka kontratë me Freiburgun deri në vitin 2019, mirëpo është pak e besueshme se do të luajë në Bundesliga 2 të Gjermanisë me këtë skuadër. Në rast se transferohet te Gladbachu, atëherë ka mundësinë që të luajë në Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm, pasi që Gladbachu e ka siguruar këtë.

Pos Gladbachut, për shërbimet e reprezentuesit të Zvicrës, Mehmedi, ka treguar interesim edhe Hamburgu, skuadër kjo që do të luajë në barazh me Karlsruhen për qëndrim në elitë. Pjesë e Karlsruhes është Ylli Sallahi.

Hamburgu, pjesë e të cilës skuadër është Valon Behrami, ka përfunduar stinorin në Bundesligë në pozitën e 16-të, një pozitë sipër Freiburgut dhe dy sipër Paderbornit të Alban Mehës.