Adem Mikullovci cakton edhe një seancë

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se për të hënën në ora 10:00 është thirrur vazhdimi i seancës konstituive.

Seanca është thirrur nga kryesuesi Adem Mikullovci i VV’së, si deputeti më i vjetër nga mosha i Kuvendit, dhe ka vetëm një pik të rendit të ditës, atë të zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe të nënkryetarëve.

Koalicioni fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, PDK-AAK-NISMA, të cilët edhe u takon propozimi i kryeparlamentarit kanë paralajmëruar se do ta bojkotojnë edhe këtë seancë, sikurse atë të 10 gushtit.

Kjo pasi PAN ka kërkuar edhe një takim konsultativ me përfaqësuesit e partive politike, për të mërkurën, e më pas të hapet mundësia për thirrjen e seancës të enjten ose të premten e javës që vjen. Kërkesën e kishte bërë Pal Lekaj i AAK’së, të mërkurën, në një takim po ashtu konsultativ, një ditë para seancës së 10 gushtit që dështoi të mbahej në mungesë të deputetëve të PAN’it dhe atyre të minoriteteve, në sallë.

Megjithatë, Adem Mikullovci, siç kishte paralajmëruar ka caktuar seancën për të hënën, derisa PAN ka njoftuar serish për bojkot të saj.

PAN ka propozuar kreun e PDK’së Kadri Veseli për kryetar të Kuvendit, por që koalicioni LAA dhe VV refuzojnë ta votojnë atë. /GazetaExpress/.