AAK: Kuvendi dhe Qeveria do kenë pushtetet dhe përgjegjësitë e ndara

Mos-ratifikimi i Demarkacioni ishte njëra nga pikat kryesore të mocionit të iniciuar nga Nisma qe mundësoi rrëzimin e Qeverisë Mustafa.

Kjo pasi që, Demarkacioni konsiderohej si njëra ndër pikat kyçe të bllokadës së punës në Kuvend e gjithashtu edhe të procesit të liberalizimit të vizave.

Megjithatë, procesi i liberalizimit po zvarritet ende me vonesat për formimin e Qeverisë së re.

Por, zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët së bashkë me partitë e tjera të koalicionit kanë mandatin për formimin e Qeverisë, kanë deklaruar se Qeveria e re do t’i  kryej obligimet e veta në një afat sa më të shpejt.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj gjatë një prononcim për Indkesonline, i cili gjithashtu ka shtuar se në legjislaturën e re Demarkacioni, Asociacioni dhe  çështjet tjera me interes nacional do të jenë punë e Kuvendit të Kosovës dhe jo e Qeverisë.

“Qeveria do t’i kryej obligimet e veta në një afat sa më të shpejt, por çështja e demarkacionit dhe e asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe e çështjeve të tjera të interesit nacional, do të jenë punë e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Nitaj.

Sipas tij, pushtetet dhe përgjegjësitë do të jenë të ndara dhe nuk do të mund që Qeveria të vendos në emër të Kuvendit.

“Pushtetet dhe përgjegjësitë janë të ndara, dhe në legjislaturën e re, nuk do të ndodhë qe Qeveria të vendosë në emër të Kuvendit, siç ka qenë praktikë në legjislaturën e shkuar”, ka shtuar ai.

Ndryshe, zyrtarë të koalicioni PAN tashmë disa herë kanë deklaruar se i posedojnë votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë, duke theksuar se shumë shpejtë do të krijohet legjislatura e gjashtë./Indeksonline/