AAK ia hap derën Bulliqit, pas goditjes që ia dha LDK-ja

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka nominuar Shpejtim Bulliqin për deputet në zgjedhjet që do të mbahen më 11 qershor.

Bulliqi gjatë legjislaturës së tij si deputet i LDK-së vazhdimisht ka kundërshtuar versionin e demarkacionit kufitar me Malin e Zi, duke dal kështu kundër qëndrimit të partisë që ai përfaqësonte, shkruan Indeksonline.

Madje, shpesh është akuzuar edhe se po i bashkohet kauzës së AAK-së, e cila ishte unanimisht kundër kësaj marrëveshje.

I kontaktuar nga Indeksonline, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë fjalë të mira për Bulliqin lidhur me angazhimin që ka shfaqur kundër demarkacionit.

AAK, sipas tij, ka respekt të madh për të.

“Ne e kemi vlerësuar lart profesionalizmin dhe ekspertizën që ka ofruar Bulliqi në takimet e ekspertëve që janë mbajtur, por edhe paraqitjet para opinionit e që i kanë sqaruar qytetarit të Kosovës se bëhet dëm nëse realizohet ajo marrëveshje për demarkacionin. Bulliqi gëzon një respekt të jashtëzakonshëm në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, por edhe në popullin e Kosovës”, ka thënë Isufi.

Në anën tjetër, Bulliqi ka thënë për Indeksonline se do të punoj fuqishëm që në LDK të krijohen kushte për mendim të lirë.

“Unë do të punojë fuqishëm që në një të ardhme të afërt të largojmë nga partia njerëzit servil dhe të padijshëm të cilët për një interes të ngushtë janë në gjendje ta sakrifikojnë edhe integritetin e shtetit. Ne së bashku do të reformojmë partinë. Kam pasur oferta edhe nga parti të ndryshme, por unë do të qëndrojë deri sa të largohen matrapazat”, ka shtuar Bulliqi. /Indeksonline/

 
Loading...