90 ditë për heqjen e vizave? Misioni i pamundur i Ramush Haradinajt

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj kishte shtruar rrugën me premtime për të arritur te pozita e të parit të Qeverisë. Ajo që ishte më e dëshirueshmja nga qytetarët për t’u dëgjuar, u tha nga Haradinaj. Ai premtoi lëvizje të lirë në Zonën Schengen brenda 90 ditëve të qeverisjes së tij. Por, tani që ka ardhur në krye të ekzekutivit, pa ndonjë ide të qartë, se si do t’ia bëjë me demarkacionin, që është kushti kryesor, një gjë e tillë duket vështirë e realizueshme. A do t’ia dalë Haradinaj?

Marrë parasysh që demarkimi i kufirit me Malin e Zi është kusht për liberalizimin e vizave, kryeministri kishte për qëllim që diçka e tillë të arrihej duke ndryshuar versionin e Demarkacionit të nënshkruar në vitin 2015 nga Hashim Thaçi, atëherë ministër i Punëve të Jashtme.

Zëdhënësi i Qeverisë, Arbër Vllahiu, në një prononcim të mërkurën për Gazetën Express, tha se çështja e demarkacionit do të marrë së shpejti drejtim, duke përmendur rëndësinë që Haradinaj ia ka dhënë kësaj çështjeje qysh në ditën e parë të punës.

“Çështjen e parë që kryeministri Haradinaj e ka trajtuar në ditën e parë të punës është çështja e Demarkacionit, dhe kjo çështje do të marrë drejtim së shpejti që qytetarëve të Kosovës t’iu mundësohet lëvizja e lirë”.

Vllahiu, i pyetur se çfarë nënkupton Qeveria me atë se ‘së shpejti’ kjo çështje do të marrë drejtim, është përgjigjur se ‘kur komisioni i ri, gjithëpërfshirës të sjellë gjetjet e tij, do t’i jepet drejtimi’.

Ndërsa, njohësi i çështjeve të Integrimeve Evropiane, Avni Mazreku, ka shpjeguar hapat e nevojshëm për liberalizimin e vizave dhe versionin më optimal që do t’u mundësonte qytetarëve të vendit lëvizjën pa viza.

Sipas Mazrekut, kjo çështje nuk duhet të ketë qasje kohore, siç është thënë për 90 ditë, sepse kjo del jashtë një konteksti të përcaktuar kohor.

Lexo tjetër  Gjesti i mrekullueshëm i Melania Trump bëri që të gjithë të marrosen pas saj (VIDEO)

Ai ka përmendur se procesi i liberalizimit të vizave është  i bllokuar për sa kohë që nuk ratifikohet demarkacioni, e pas zhbllokimit  të kësaj çështje, qytetarët prapë nuk do ta fitojnë lirinë e lëvizjes brenda ditës, por do të fillojë një proces tjetër që nuk varet nga qeveria.

“Kur zhbllokohet procesi, pra kur ratifikohet marrëveshja, Kosovës prapë nuk i garantohet automatikisht lëvizja e lirë e qytetarëve, për shkak se vendimi final merret nga Këshilli i BE’së, ku shtetet e Bashkimi Evropian nëpërmes një sistemi ku duhet të votojnë së paku 55 për qind e shteteve”, ka treguar Mazreku.

Por, ky proces mund të kalojë edhe nëpër një pengesë tjetër. Siç tregon Mazreku, liberalizimi i vizave mund të bllokohet nëse katër shtete, që përbëjnë 35 për qind të popullatës evropiane, janë kundër heqjes së vizave për Kosovën.

“Në BE 5 shtete e nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, por fatmirësisht këto 5 shtete nuk përbëjnë 35 për qind të popullsisë evropiane, megjithatë ka shtete që e kanë njohur Kosovën por janë skeptike në liberalizimin e vizave të saj për shkak të migrimeve ilegale të kosovarëve gjatë vitit 2014-2015, por edhe më pas”, është shprehur Mazreku për Gazetën Express.

Nga kjo që njohësi i çështjeve evropiane ka treguar, dhe nga varësia e heqjes së vizave, fillimisht prej ratifikimit të demarkacionit si çështje e brendshme e Kosovës që duhet të zgjidhet në Kuvend, dhe më pas procesit që varet nga Bashkimi Evropian, ‘së shpejti’ e Vllahiut nuk mund të ndodh edhe aq shpejtë.

E për opozitën, përkatësisht për Lidhjen Demokratike të Kosovës premtimi i Haradinajt për lëvizje të lirë brenda 90 ditësh është krejtësisht i pamundur për t’u realizuar.

“Haradinaj mundet me e përmbushë atë premtim aq sa që unë mund të shkoj në hënë…madje madje shkuarja ime në hënë është me afër mëndësh”, ka thënë Bajram Gecaj për Gazetën Express.

Lexo tjetër  Telekomi i Kosovës angazhon kompani angleze për të kundërshtuar vendimin e Arbitrazhit

Ndërsa, nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka thënë se diçka e tillë është vështirë të arrihet pa ratifikimin e Demarkacionit.

Lidhja Demokratike ka deklaruar se demarkimin e kufirit me Malin e Zi e votojnë vetëm nëse Haradinaj arrin që ta sjellë kufirin në Çakorr, aty ku i kishte bërë presion qeverisë së Isa Mustafës se duhet të jetë kufiri. /Express/