1 tetori i vitit 1997, një moment kthese në historinë e Kosovës

Shkruan Arben Mehmeti

Universiteti i Prishtinës është institucioni i parë i arsimit të lartë në Kosove, i cili është themeluar më 15 shkurt të vitit 1970, ndërsa 15 shkurti u shpall dita e Universitetit të Prishtinës. Megjithëse një universitet i ri në kontekst të universiteteve me histori qindvjeçare, përvoja e hidhur historike nuk i ka munguar aspak. Studentët e Universitetit të Prishtinës përjetuan më shumë se askush tjetër dhunën kundër arsimit, lirisë, shprehjes së lirë, dhunës mbi institucionet akademike etj. Prandaj mund të thuhet se roli i studentëve të Universitetit të Prishtinës për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb padyshim ishte i madh. Më 1 tetor të vitit 1997 shpërthyen demonstratat studentore të Universitetit të Prishtinës. Ishte kjo një revoltë e akumuluar ndër breza e shekuj më radhe. Studentët e atij brezi u rrahën, u maltretuan nga policia dhe armata jugosllave. Ata kishin vetëm forcën e shpirtit shqiptar, dëshirën për liri dhe pavarësi të vendit të tyre. Më rezistencën e tyre e gjithë bota u njoftua për bëmat e pushtetit shovinist serb mbi shqiptarët e Kosovës Studentët e Universitetit të Prishtinës shpërfaqen gjendjen kritike të popullit të tyre me ç’rast zbuluan shtypjen që po ju bëhej nga shteti shovinist serb. 1 tetori i vitit 1997, një moment kthese në historinë e Kosovës, kur studentët, profesorët dhe qytetarët i mbushen rrugët e Prishtinës. Këto demonstrata të studentëve patën e efektin e tyre të madh sepse e gjithë bota ktheu vëmendjen te Kosova, të fati i shqiptarëve dhe shembulli se si okupatori serb vepronte mbi rininë shqiptare, se si po mundohej të shtypte çdo lëvizje, e cila kërkonte drejtësi, liri e pavarësi për popullin shqiptar. Po këta, pra studentët, ishin ata që ju bashkuan edhe radhëve të UÇK-së Komandantit Adem Jashari për çlirimin e trojeve shqiptare nga shteti shovinist serb. 1 tetori cdo herē do të jetë një ditë feste dhe krenarie për ne.