1 miliard euro për infrastrukturën e Ballkanit Perëndimor

Në Prishtinë i ka përfunduar punimet konferenca e ministrave të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Ballkani Perëndimor ka nisur me hapa më modest për të thelluar bashkëpunimin ekonomik, por me ambicie më të mëdha, për të jetuar si popujt e tjerë të Evropës. Kështu ka deklaruar në hapje të konferencës zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës  Hashim Thaçi, duke shtuar se Bashkimi Evropian, që sot është një projekt i suksesshëm, ka nisur edhe me një projekt për bashkëpunim në sferën e infrastrukturës dhe energjetikës e cila garanton që Kosova e ka vendin ne familjen e gjerë evropiane.
“Kosova e ka vendin e garantuar në familjen evropiane të shteteve demokratike. Kosova do të vazhdojë të jetë prijëse e konsolidimit të paqes në Ballkan dhe hapjes së një faqe të re të pajtimit në Ballkanin Perëndimor”, tha Thaçi.

Ndërkaq, Komisionari i Bashkimit Evropian për Politikë të Fqinjësisë Evropiane dhe Negocim të Zgjerimit, Johannes Hahn, tha se Bashkimi Evropian do të mbështes ndërtimin e infrastrukturës rajonale me 130 milionë euro. Mirëpo, ai shtoi se BE është e gatshme të investojë edhe mbi 1 miliardë euro në infrastrukturë, por për ta bërë këtë, qeveritë e shteteve rajonale duhet të jenë të gatshme të bashkëpunojnë me projekte që janë të realizueshme.
“Ballkanin Perëndimor dëshirojmë ta ndërlidhim jo vetëm nëpërmjet lidhjes fizike, rrugëve dhe hekurudhave, mirëpo edhe ndërlidhjen politike, gjuhësore e kulturore. Kjo nënkupton që njerëzit të lëvizin lirshëm nga një zonë në një zonë tjetër dhe nga një qytet në qytet tjetër”, tha Hahn.

Hahn kërkoi që në Samitin e Vjenës që do të mbahet në gusht 2015, qeveritë të prezantojnë projekte konkrete për energji dhe infrastrukturë. Sipas tij qëllimi i bashkëpunimit mes shteteve të Ballkanit Perëndimor është që ato të fokusohen në vendime të implementueshme. Ndërkohë në konferencë për media zëvendëskryeministri dhe ministri i punëve të Jashtme, Hashim Thaçi e vlerësoi lartë pjesëmarrjen e ministrave të jashtëm në konferencën për Ballkanin, e në veçanti atë të ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq. Ai tha se tani më vizitat e tilla nuk kanë ndonjë karakter historik por janë normale, prandaj ky është një mesazh që raportet tona po normalizohen.
“Pjesëmarrja e sotme e ministrit të punëve të jashtme të Serbisë Daçiq në konferencën në Prishtinë është mesazh apo një hap përpara për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Në të njëjtën kohë është një hap përpara në sjelljen tonë të lidershipit rajonal të një sjellje evropiane të komunikimit, bashkëpunimit dhe participimit të përbashkëta me interes dhe vlera të përbashkëta euroatlantike”, tha Thaçi.
Ndërkohë komisioneri Hahn është pyetur edhe për lëvizje e lirë të qytetarëve të Kosovës, për çka potencoi rëndësinë e plotësimit të kushteve.
“Sa i përket liberalizimit të vizave, ne po punojmë shumë në këtë drejtim, sepse ky është edhe një objektiv i Bashkimit Evropian, por për këto duhet të plotësohen kushtet e caktuara”, tha Hahn.

Ndryshe, kjo konferencë vjen pas konferencës së Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të rajonit. Pjesëmarrës në konferencë janë ministrat nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina si dhe nga Serbia. Takimi i radhës i formatit të tillë do të mbahet edhe në Ohër të Maqedonisë. Ndërkohë ministri i punëve të jashtme të Serbisë, ka mbajtur një konferencë për media, por vetëm për ato serbe duke përjashtuar mediat në gjuhën shqipe.