​Limaj nuk do të heshti

Kreu i NISMA-së për Kosovën Fatmir Limaj është i zhgënjyer me drejtësinë në Kosovë.
 Po thotë se është e ndikuar nga politika dhe se drejtësia në Kosovë gjendet para një rrënimi të plotë nëse vazhdohet me logjikën e deritashme.
Në një intervistë për KosovaPress, Fatmir Limaj, thotë se kjo është shumë shqetësuese dhe alarmante, madje habitet se si Ministria e Drejtësisë po rrijë e heshtur ndaj gjithë asaj që po ndodh në sistemin e drejtësisë si në gjykata por edhe në Këshillin Prokurorial.
Limaj po ashtu shprehet i habitur se si njerëzit të cilët janë në krye të mbrojtjes së ligjshmërisë, dhe nga të cilët pritet që të zbatojnë ligjin dhe të ndihmojnë në konsolidimin e shtetit ligjor e demokratik në këtë vend heshtin përballë tërë kësaj
Duke folur për siç thotë ai, skandalin e fundit të rastit ‘Kleçka’ thotë se duhet parë në prizmin e përgjithshëm e jo si një rast individual.
Këtu, Limaj thotë se duhet patjetër që të hapet një mundësi për të hetuar në tërësi gjitha faktet e prezantuara në media me qëllim që të vijë deri tek e vërteta e cila para se gjithash, sipas tij do ti shërbente sistemit të drejtësisë edhe ashtu të dëmtuar shumë dhe do të jepte një pasqyrë të qartë se çfarë në të vërtetë ka ndodhur.
Limaj thotë se nuk do të heshtë përderisa thotë se duhet të lirohet nga bandat të cilët nuk ja duan të mirën vendit.
Limaj: Shteti duhet të çlirohet nga kapësit e tij
“Kjo vjen për mendimin tonë si rezultat i asaj që ne kemi thënë dhe vazhdojmë të themi, Shteti i Kosovës është kapur nga para politika dhe nga bandat të cilat duhet të lirohet dhe ky shtet nuk mund të çlirohet vet nga njerëzit të cilët nuk kanë vullnet ta luftojnë para politikën dhe bandat, prandaj duhet gjithë ne si qytetar dhe shoqëri të alarmohemi, të organizohemi të kundërshtojmë në njërën anë këtë kapje të shtetit dhe në anën tjetër ti mbrojmë gjithë ata që janë të interesuar dhe po luftojnë që ta bëjnë çkapjen e shtetit nga këto banda dhe parapolitika.. Përsëri po them është detyrë e gjithëve, se është momenti i fundit të alarmojmë të gjithë se shteti është kapur, skenat që i kemi parë ditëve të fundit, të kaluara në shumë institucione publike në këtë vend tregojnë më së miri se ky shtet duhet të çlirohet nga kapësit e kapësit në këtë rast janë siç thash bandat të cilat nuk ja duan të mirën këtij vendi ”, tha Limaj.
Por e gjithë kjo nuk do ta ndalë të parin e NISMA-së që të kërkoj që sa më shpejt të ndriçohet i tërë rasti pasi sipas tij tendenca për ta heshtur rastin është tendencë për të fshehur të vërtetën dhe fshehja e pretendimeve dhe fakteve e dëmton drejtësinë në këtë vend dhe shkel të drejtat e njeriut të garantuara me kushtetutë por shkel edhe barazinë para ligjit dhe këto do të dëmtojnë në tërësi besimin në sistemin e drejtësisë.
Deklaratat e dhëna nga zyrtarët e ndryshëm për këtë rast, Limaj i cilëson si të ngutshme pasi përmes tyre ata po vijnë në përfundim nëse ka apo s’ka fakte pa bërë ndonjë hetim, dhe këtu Limaj ngrit dilemën se në çka bazohen kur vijnë në përfundime të tilla përderisa nuk është bërë hetimi dhe thotë se kjo është në shpërputhje me atë që do duhej të ndodhte.
Limaj thotë se së pari duhet të ndodh hetimi i gjithanshëm për pretendimet dhe dyshimet e këtij skandali dhe në fund nga hetimet të vijë edhe rezultati dhe ndriçimi i së vërtetës dhe tek pastaj mund të flitet se ka pasur apo s’ka pasur fakte
Limaj: Ky rast nuk duhet parë si i izoluar
“Këtë nuk duhet parë si rast i izoluar se nëqoftëse një gjë e tillë ka ndodhur siç është publikuar në gazetë ky është skandal i përmasave të jashtëzakonshme, ky është në shpërputhje të plotë me misionin tonë të përbashkët për ta ndërtuar një shtet ligjor dhe mbi të gjitha kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, me konventat evropiane, ose më mirë me than ka shkelje flagrante të Kushtetutës së Kosovës dhe të konventës evropiane që garanton të drejtat e individit, barazinë para ligjit, etj”, ka theksuar ai.
Tutje gjithnjë duke folur për rastin, Limaj thotë se kanë dalë para një paneli gjyqësor i cili kishte qenë i ndërtuar paligjshëm, dhe ju kanë dorëzuar sistemit të drejtësisë duke besuar në të, ndërsa i njëjti sipas tij nuk ka funksionuar
Limaj: Ai sistem i drejtësisë po na fsheh diçka
“Dhe ai sistem i drejtësisë po na fsheh diçka dhe ne kërkojmë në emër të drejtësisë, në emër të mbrojtjes së ligjit dhe kushtetutës që ai sistem jo të fsheh por të zbardh deri në fund ato që kanë ndodhur sepse siç thash kjo garanton një shtet ligjor dhe kjo garanton se në këtë vend mund të ketë gabime lëshime, mund të ketë abuzime por nuk është sistemi i tërë i cili bën abuzime, ka një individ dhe ne po duam ti veçojmë individët të cilët kanë abuzuar me detyrën me motivet e tyre pavarësisht çfarë motive kanë pasur dhe ata njerëz të cilët kanë abuzuar me ligjin, kanë shkelur ligjin, kushtetutën duhet ta marrin përgjegjësinë për atë që kanë bërë dhe kështu të ndihmohet kthimi i ligjshmërisë dhe besimi në sistemin e drejtësisë”, ka nënvizuar ai.
Por, Limaj ka thënë se mbetët për tu parë nëse do të dëgjohet dhe respektohet kërkesa e tyre nga të tjerët, por një gjë tha se është e sigurt se nuk do të heshtin, madje ata të cilët tentojnë që ta heshtin këtë rast gabohen shumë, pasi Limaj thotë se kjo çështje është aq e madhe saqë nuk mund të heshtet.
Ai thotë se e njohin metodën e punës për të heshtur dhe çdo gjë për ta mbajtur mbyllur dhe larg opinionit por përkundër kësaj, tha se do vazhdojnë të kërkojmë të drejtën e tyre dhe ndriçimin e rastit
Limaj: Nuk do ndalemi deri në ndriçimin e plotë të rastit
“Dhe derisa të ndriçohet ky rast ne nuk do të ndalemi sepse besoj kjo më i ka tejkaluar çështjet të një fati e një individi por është thjesht në interes të sistemit të drejtësisë në vend sepse ky është alarm për vendin, imagjinoni në këtë kohë ka mundësi, paska mundësi në një sistem të drejtësisë, në emër të barazisë, në emër të ligjit me standardet më të larta evropiane një sistem i tërë të keqpërdoret për qëllime politike, për eliminime politike të njerëzve kjo është më tepër se sa skandaloze”, ka thënë ai
Limaj thotë se përkundër asaj se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, shpreson se drejtësia do të vjen në vend pavarësisht pasojave që mund të lë.
Limaj:Rasti im të ju shërbej të tjerëve
“Nuk ka asnjë dilemë se vonesa lë pasoja të mëdha por duke shpresuar se kjo drejtësi do t’ju shërbej të tjerëve ne duhet të luftojmë për atë drejtësi dhe e vërteta të dal në shesh, të paktën le të ju shërbej të tjerëve për të mirë dhe njëkohësisht të marrin dënimin ata të cilët abuzojnë, kanë keqpërdorur dhe në emër të ligjit kanë shkatërruar njerëz, familje dhe kanë bërë selektime dhe tendenca për eliminime politike në llogari të interesave të tyre të ngushta”, ka deklaruar Limaj.